Dyshimet për një lidhje jashtëmartesore mes 29-vjeçarit, që rezulton i zhdukur prej 3 javësh, dhe nuses së kushëririt të tij, bëri që në fisin Myrtaj të nisë një konflikt. Ky konflikt vijoi derisa 29-vjeçari u zhduk pa lënë gjurmë dhe nuk dihet ende asgjë për fatin e tij.
Javë më parë, 29-vjeçari Fatjon Myrtaj i ka marrë 500 mijë lekë borxh nuses së kushëririt të tij. Kur ky fakt është marrë vesh nga të afërmit e djalit, të cilët kanë aluduar për një lidhje intime mes të dyve, nusen e kanë divorcuar, ndërsa të riun e kanë kërcënuar me jetë.
Nëna e Fatjonit thotë se me familjen e nuses së kushëririt kishin rënë dakord që të lanin borxhin dhe gjerat do të mbylleshin, ndërsa situata agravoi kur në konflikt ndërhyri kushëriri i djalit, Perlat Myrtaj, një biznesmen i njohur në zonë.
Më datën 16 shtator, 29-vjeçari Fatjon Myrtaj, i cili kishte ditë që ishte larguar nga shtëpia pas kërcënimeve nga Perlati, humbi kontaktin me familjen. Vëllai i Fationit, Sajmiri, tregon se persona të pa identifikuar e përdorën celularin e tij për të dërguar mesazhe, edhe pas kësaj date që familja të mos e kërkonte, por ai e zbuloi se ky ishte një mashtrim kur Fatjoni nuk iu përgjigj në videocall.
Gjithë skema e rrëmbimit u zbulua nga një i afërm tjetër i familjes, i cili përballë presionit të policisë tregoi se me porosi të Perlatit e kishte nxjerrë 29-vjeçarin në pritë. Ai pohoi se ishte paguar nga Perlat Myrtaj, kushëriri i Fatjonit për ta çuar 29-vjeçarin në Vlorë, ku e morën me makinë 4 njerëz të armatosur.
Për ngjarjen policia ka vënë në pranga Perlat Myrtajn, si edhe Lajdon Myrtajn, personi që e nxori në pritë 29-vjeçarin, por nuk dihet ende fati i të riut Fation Myrtaj. Nëna e tij, Farie, apelon që shteti t’i gjejë të birin, edhe nëse ai është i pajetë, t’i bëjë një varr./BW