Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku u mor në pyetje paraditen e të hënës në Prokurorinë e Tiranës, pas regjistrimit të një kallëzimi penal për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Mazniku u pyet në cilësinë e personit në dijeni të fakteve, lidhur me pagesën e faturës së akomodimit në një hotel me 5 yje në Barcelonë të Spanjës në qershor të vitit 2018, të kryer aga administratori i kompanisë Fusha sh.p.k., Shkëlqim Fusha.
Megjithatë, sipas dëshmive dhe dokumenteve të mbledhura deri tani, nënkryetari i bashkisë dyshohet se nuk ka qenë i vetmi zyrtar që ka përfituar në konflikt të dyshuar interesi nga ‘zemërgjerësia’ e biznesmenit Fusha.
Dy burime të pavarura brenda prokurorisë i thanë BIRN se gjatë dhënies së deklarimeve përpara policisë gjyqësore të hënën, Mazniku ka deklaruar se përveç akomodimit të tij, Shkëlqim Fusha ka paguar edhe akomodimin e drejtorit të Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Tiranë, Ditjon Baboçi.
“Arbjan Mazniku është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi ngjarjen, pasi Prokuroria e Tiranës ka nisur hetim për veprën penale të shpërdorimit të detyrës lidhur me pagesën për akomodimin e disa zyrtarëve dhe punonjësve të Bashkisë Tiranë nga një subjekt privat”, pohoi për BIRN një prokuror me dijeni të dosjes.
Sipas të njëjtave burimeve, prokuroria dyshon se biznesmeni Fusha ka kryer pagesën e akomodimit në Barcelonë të Spanjës për një grup të madh drejtuesish dhe punonjësish të bashkisë Tiranë, por jo për kryetarin Erion Veliaj. Mbetet e paqartë se kush i ka paguar kostot e akomodimit kryetarit të bashkisë.
Mazniku raportohet të ketë thënë përpara oficerit të policisë gjyqësore se pagesa është kryer prej Fushës për shkak të ‘mosrakordimit’ të bashkisë për mbulimin e shpenzimeve të akomodimit. Pas dhënies së deklarimeve në prokurori, nënkryetari i bashkisë së Tiranës deklaroi për mediet se ishte i kënaqur që dha informacionin e Bashkisë Tiranë për këtë çështje.
Deri në publikimin e këtij shkrimi bashkia Tiranës, nënkryetari i Bashkisë , Arbjan Mazniku dhe Drejtori i Urbanistikës, Ditjon Baboçi nuk i përgjigjën një kërkese për koment nga BIRN, ndërsa administratori i kompanisë Fusha sh.p.k, Shkëlqim Fusha refuzoi të komentonte.
“Çështja është duke u gjykuar në Prokurori dhe deri në përfundim nuk mund të japim asnjë mendim për këtë çështje,” tha Shkelqim Fusha nëpërmjet një mesazhi në rrjetin online të komunikimit WhatsUp.
Kompania Fusha Sh.p.k është kontraktori më i madh i bashkisë së Tiranës dhe vetëm gjatë 4 viteve të fundit – kohë kur në krye të bashkisë ka qenë kryebashkiaku Erion Veliaj, ka përfituar mbi 28.6 milionë euro në fonde publike nga ky institucion.
Fusha sh.p.k u shpall fituese e tenderit me vlerë 11 milionë euro për “rikualifikimin urban të ‘Sheshit Skënderbej’”, si e vetmja kompani konkurruese.
Hetimi i Prokurorisë së Tiranës vjen pas publikimit në median online të disa dokumenteve sipas të cilave, biznesmeni Fusha kishte paguar për akomodimin e Maznikut në datat 19-21 qershor 2018 në Hotel Alma në Barcelona, me një kosto prej 900 euro nata. Alma është një hotel me 5 yje më qendër të Barcelonës, vetëm disa hapa larg nga ‘Passeig de Gràcia” – një prej bulevardeve kryesore të kryeqyteti të Katalunjas.
Gjatë këtyre datave në Barcelonë u mbajt ceremonia e dhënies së çmimeve ““Çmimi Europian për Hapësirën Publike 2018””, ku baskia Tiranë dhe projektuesi i sheshit “Skënderbej” fituan çmimin e parë.
Regjistrimi i procedimit penal për këtë çështje në Prokurorinë e Tiranës ka ardhur pas kryerjes së një kallëzimi nga aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ndaj nënkryetarit të bashkisë, Arbjan Mazniku. Ky grupim i shoqërisë civile është vendosur në qendër të protestave kundër një propozimi të pakërkuar partneriteti publik privat të kompanisë Fusha, për shembjen e teatrit aktual dhe ndërtimin e një teatri të ri kombëtar, në shkëmbim të përfitimit të një parcele toke publike në qendër të Tiranës, ku kompania synon të ngrejë një bllok pallatesh shumëkatësh.
Pas publikimit në media të faturave të paguara nga Shkëlqim Fusha për akomodimin e nënkryetarit të bashkisë në Barcelonë, Bashkia e Tiranës deklaroi nëpërmjet deklarate për shtyp se i gjithë udhëtimi ishte financuar nga Shkëlqim Fusha, për shkak se çmimi ishte fituar nga arkitektit ‘54N4E,’ kompanisë zbatuese “Fusha” dhe Bashkia Tiranë.
“Me rastin e marrjes së këtij Çmimi prestigjoz, një grup nga Shqipëria udhëtoi për në Barcelonë për të marrë pjesë në ceremoni dhe për të tërhequr çmimin,” deklaroi bashkia për Zërin e Amerikës
“Kompania “Fusha” mori përsipër të mbulojë shpenzimet për grupin nga Shqipëria, kësisoj duke mos shpenzuar fonde të Bashkisë së Tiranës për një çmim që i jepej si bashkisë edhe kontraktorit për realizimin,” ajo shtoi.
Por sipas Partisë Demokratike kjo deklaratë nuk është e vërtetë, pasi sipas dokumenteve të Agjencisë së Prokurimit Publik provohet se Bashkia e Tiranës ka shpenzuar mbi 900 mijë lekë bileta avioni për udhëtimin në Barcelonë.
“Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duhet të merret gjithashtu nën hetim. Partia Demokratike ka zbuluar fakte zyrtare që provojnë se Bashkia e Tiranës ka mashtruar opinionin publik për paratë që u përdorën në udhëtimin e Barcelonës,” deklaroi ish-deputetja e PD-së, Dhurata Çupi Tyli.
Gjithashtu, ndryshe nga sa pretendon Bashkia e Tiranës në deklaratën e saj, çmimi “Europian për Hapësirën Publike 2018” i është akorduar vetëm projektuesit ‘54N4E,’ dhe bashkisë së Tiranës, por jo kompanisë zbatuese.
Sipas Prokurorisë përveç veprës penale të shpërdorimit të detyrës, hetimi do të kryhet edhe për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe për veprën penale të korrupsionit. Burimet brenda prokurorisë u shprehën se janë duke u administruar në bashki dokumentacionin e praktikës së organizimit të udhëtimit në Barcelonë të Spanjës në qershor të vitit 2018 dhe të akomodimit atje.
“Nëse do të jetë e nevojshme do t’u dërgojmë letër-porosi edhe autoriteteve spanjolle lidhur me faturat e paguara për akomodimin e një delegacioni të bashkisë Tiranë në qershor të vitit 2018 në Barcelonë”, përfundoi zyrtari i Prokurorisë së Tiranës./Reporter.al/