Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Lushnjes.
40 vjeçari Besmir Hida u qëllua për vdekje me breshëri kallashnikovi nga dy persona të maskuar teksa po konsumonte një kafe në ambientet e një lokali në katin e dytë të lagjes “Gafurr Muça”.
Hida ishte pronar i një pike grumbullimi makinash të përdorura në Lushnje.
Mirëpo, emri i tij nuk është i panjohur për policinë. Më herët ai i ka shpëtuar një tjetër atentati me eksploziv.
Besmir Hida e kishte parkuar automjetin e tij përballë banesës, ndërkohë që shpërthimi i fuqishëm kishte ndodhur kur pjesëtarët e familjes së tij kanë qenë në gjumë.Në atë kohë ai deklaroi në polici se nuk kishte probleme me asnjë.
Ngjarja
Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes, siç bëjnë me dije burime policore, Hida ishte i ulur në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” duke pirë kafen e mëngjesit, që ndodhet në katin e dytë të një godine. Aty, rreth orës 8:15, është qëlluar nga autori me breshëri kallashnikovi. Autorët ishin dy.
“Sot rreth orës 08:15, në një lokal në lagjen ‘Skënder Libohova’ Lushnjë, dy persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të shtetasit B.H, 35 vjeç, i cili ka ndërruar jetë. Autorët janë larguar nga vendngjarja me një automjet ku në ndjekje të tyre janë vënë shërbimet e Policisë Lushnjë. Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në hyrje-dalje të qytetit, në aksin rrugor Lushnjë Tiranë, Lushnjë Fier dhe Lushnjë Berat. Për zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë. Një grup specialistësh nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është nisur për t’i ardhur në ndihmë grupit hetimor me qëllim zbardhjen sa më shpejtë të ngjarjes”, njoftoi policia e Lushnjes.
Disa dëshmitarë janë marrë në pyetje.
Viktima, daja i Zamir Latifit
Besmir Hida, i martuar, i cili kishte një pikë grumbullimi makinash të vjetra, është daja i Zamir Latifit, i vrarë para 2 vitesh në atë që u cilësua si “masakra e Lushnjes”.
Më 11 shtator, pasdite, një makinë në lëvizje qëlloi drejt personave që ishin ulur jashtë një lokali. Të vdekur mbetën Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, të dy nuk i kishin kaluar të 30-at. Nga atentati mbetën edhe dy persona të plagosur.
U përfol se ishte një larje hesapesh mes bandash në qytet. Viktimat njiheshin si miqtë e ngushtë të djalit të vëllait të Aldo Bares, kreut të bandës së Lushnjës i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili vuan dënimin në një nga burgjet e sigurisë së lartë. Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili, u shpallën në kërkim si autorët e ngjarjes, por edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite, autorët ende nuk janë kapur nga policia.