Pasojat e Luftës së Parë Botërore, qenë vërtet të tmerrshme. Vlerësimet ndryshojnë, por në total flitet për rreth 41 milionë viktima në ushtarakë dhe civilë, nga këta 20 milionë të vdekur dhe 21 milionë të plagosur. Asnjëherë më parë një konflikt nuk kishte shkaktuar dëme të tilla.
Por gjatë 4 viteve të luftës, kirurgët ushtarakë zhvilluan teknika të reja në fushën e betejës dhe në spitalet fushore pranë frontit, që në 2 vitet e fundit të luftës, rezultuan jetike në kurimin e mbijetuarve nga lëndimet. Në Frontin Perëndimor, 1.6 milionë ushtarë britanikë u kuruan me sukses, dhe u rikthyen në llogore.
Në fund të luftës, 735.487 trupa britanike ishin liruar nga ushtria, pas plagëve të mëdha që
kishin pësuar. Pjesa më e madhe e lëndimeve, ishte shkaktuar nga shpërthimet e predhave dhe shrapneli. Shumë nga të plagosurit (16 për qind) kishin lëndime në fytyrë, më shumë se një e treta e të cilave u kategorizuan si “të rënda”.
Historikisht, fytyra ishte një zonë ku kirurgjia kishte ndërhyrë më pak. Dhe zakonisht të mbijetuarit me dëmtime të mëdha të fytyrës, mbeteshin gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës me deformime të mëdha, të cilat ua vështirësonin frymëmarrjen, ngrënien, pirjen apo edhe thjesht parjen në pasqyrë.
Një kirurg i ri nga Zelanda e Re, Harold Xhilles, ishte angazhuar në Frontin Perëndimor. Ai tentoi të riparonte dëmet e shumta në fytyrë të ushtarëve, dhe e kuptoi se kishte nevojë për një punë më të specializuar. Edhe drejtuesit e spitaleve ushtarake, e kuptuan rëndësinë e krijimit të qendrave të specializuara, për trajtimin e lëndimeve dhe plagëve specifike.
Në janar 1916, u ngrit njësia e parë e operacioneve plastike në Britaninë e Madhe, në Spitalin Ushtarak të Kembrixhit në Aldershot. Xhilles vizitonte shpesh spitalet në Francë, për të marrë me vete pacientët që kishin nevojë për ndërhyrje specifike në fytyrë, për t’i dërguar në njësinë e tij spitalore.
Ai mori në Angli rreth 200 pacientë. Por hapja e njësisë së specializuar, përkoi me nisjen së ofensivës sa madhe në Som në vitin 1916. Ndaj në Aldershot, u dërguan më shumë se 2000 pacientë me lëndime në fytyrë. Për këtë trajtim, kishin nevojë edhe marinarët dhe piloted, që kishin pësuar djegie të rënda në fytyrë.
Xhilles e përshkroi zhvillimin e operacioneve plastik si një “art të ri të çuditshëm”. Shumë teknika u zhvilluan nga eksperimentet dhe gabimet e shumta. Megjithëse disa prova të ngjashme ishin bërë shekuj më parë në Indi. Një nga teknikat kryesore që zhvilloi Xhilles, ishte shartimi i lëkurës së shëndetshme në pjesën e dëmtuar.
Një copë lëkure ndahej po nuk shkëputej, nga një pjesë e shëndetshme e trupit të ushtarit. Ajo futej në një tub, dhe më qepej në zonën e dëmtuar. Duhej të kalonte një periudhë kohe, për të lejuar furnizimin e ri me gjak në vendin e implantimit. Më pas lëkura shkëputej, tubi hapej, dhe lëkura e sheshtë ngjitej mbi zonën e lënduar.
Një nga pacientët e parë që u trajtua më këtë teknikë, ishte oficeri Uollter Jio. Dëmtimet në fytyrë që kishte pësuar gjatë betejës së Jutlandit në vitin 1916, përfshinin humbjen e qepallave të sipërme dhe të poshtme të tij. Metoda e Xhilles prodhoi një “maskë” lëkure të shartuar në të gjithë fytyrën dhe sytë, duke prodhuar qepalla të reja.
Edhe pse rezultati nuk ishte i përsosur, pacienti kishte gjithsesi një fytyrë. Xhilles e përsëriti mijëra herë të njëjtën procedurë. Operacionet vazhduan edhe shumë kohë pasi mbaroi lufta, me rreth 8.000 ushtarë të trajtuar midis viteve 1920-1925. Kjo njësi u mbyll vetëm në vitin 1929.
Detajet e dëmtimeve, operacionet për korrigjimin e tyre, dhe rezultatet përfundimtare u regjistruan të gjitha në detaje, si përmes fotografimit klinik fillestar, por edhe nga vizatimet e detajuara dhe pikturat e Henri Tonks, që edhe pse ishte diplomuar si mjek, kishte hequr dorë nga mjekësia për pikturën.
Tonks u bë një artist lufte në Frontin Perëndimor, por më pas iu bashkua Xhillës për të ndihmuar jo vetëm në regjistrimin e procedurave të reja plastike, por edhe me planifikimin e tyre. Kirurgjia komplekse e fytyrës dhe kokës, kërkonte edhe mënyra të reja të anestezisë.
Anestezia kishte përparuar në përgjithësi si specialitet gjatë viteve të luftës, si në mënyrën e përdorimit, ashtu edhe të trajnimit të mjekëve. Mbijetesa gjatë operacioneve, kërkoi edhe përmirësimin e procedurave të anestezisë, megjithëse teknikat bazoheshin ende tek kloroformi dhe eteri.
Ekipi i anestezisë në Spitalin Mbretëresha Maria, zhvilloi një metodë për të kaluar një tub gome nga hunda në trake, teksa punoi edhe me tubin endotrakeal (nga gojas në trake), që ishte prodhuar nga një tub gome. Shumë nga teknikat e tyre, përdoren ende sot në kirurgjinë moderne. Sikurse shkruante një mjek austriak në vitin 1935:“Askush nuk e fitoi luftën e fundit, porpos shërbimeve të reja mjekësore. “Në një katastrofë shkatërrimtare, rritja e njohurive në mjekësi, ishte përfitimi i vetëm i përcaktueshëm që mori njerëzimi”.