Dëmtimet në banesa private dhe pallate nga lëkundja e tërmetit nuk paraqiten shumë të rënda, edhe pse plasaritjet dhe çarjet në disa prej tyre kanë shkaktuar shqetësim te banorët.
Dëmtimet kanë prekur ndërtesat e vjetra të sistemit komunist, por edhe ato të rejat, që janë ndërtuar gjatë 29 viteve të fundit.
Inxhinieri Erion Softa, në një prononcim për gazetën “Panorama”, tregoi se nga çfarë rrezikohen ndërtimet e bëra në vitet e fundit, por edhe ato që janë ndërtuar më herët gjatë komunizmit.
Sipas tij, të gjitha ndërtesat janë të rrezikuara njëlloj dhe nuk mund të thuhet se njëri lloj i ndërtesave është më i rrezikuar dhe një lloj tjetër është më rezistent.
“Nuk mund të thuhet se cilat ndërtime janë më të forta dhe rezistente ndaj tërmeteve, pasi janë të tjera shkaqe që e përcaktojnë këtë gjë dhe një goditje pak më e fortë mund të rrëzonte çdo lloj ndërtimi”, thotë Softa.
Për godinat e vjetra tradicionale, inxhinieri thotë se ato janë ndërtuar në mënyrë artizanale dhe se koha ka lënë pasojat e saj. “Ndërtesat e vjetra nuk mund të thuhet se janë më të qëndrueshme. Për këto ndërtime hyn në mes gjithmonë aspekti nëse nuk kanë pasur lagështirë apo nëse janë mirëmbajtur në kushtet e duhura teknike”, thotë inxhinieri Softa.
Me rezerva ai shprehet edhe për kushtet e ndërtesave të bëra gjatë sistemit komunist, për shkak të ndërhyrjeve që janë bërë në strukturën e tyre.
“Ndërsa për godinat e ndërtuara në kohën e sistemit komunist, sërish janë për t’u parë, pasi ka shumë vite që atyre nuk u janë bërë kontrolle teknike. Në këtë pjesë duhet shtuar edhe një tjetër fakt shumë i rëndësishëm, që ka ndikim të madh, siç është ndërhyrja në strukturë. Pra, ne kemi në të gjithë Tiranën, por edhe në Durrës, pallate që kanë pasur ndërhyrje në strukturën e tyre, ku katet e para janë ndryshuar nga për banim janë bërë ambiente shërbimi, si lokale e shërbime të tjera”, shprehet Softa.
Si ish-drejtor i përgjithshëm i INUK-ut, Erion Softa thotë se edhe pallatet e reja të ndërtuara gjatë këtyre 30 viteve të fundit kanë probleme. Dy nga problematikat më kryesore që ai veçon është mungesa e oponencës teknike gjatë projektimit të tyre, por edhe shtesat që iu janë bërë këtyre ndërtimeve përtej projektit fillestar.
“Për pallatet e reja, fakti që i rezistuan dhe nuk patën dëme nga lëkundja e tërmetit, tregon edhe një herë tjetër se janë ndërtuar me një cilësi dhe me kujdes. Por edhe këto ndërtime kanë probleme, pasi në momentin kur ato janë ndërtuar, një pjesë e mirë e tyre nuk ka pasur oponencë teknike. Pastaj, një problem më vete për këto godina janë edhe katet e shtuara në shumë pallate, që janë ndërtuar si në Tiranë, edhe në Durrës. Pra, ne kemi shumë pallate që janë ndërtuar me disa kate më tepër nga sa ka qenë projekti fillestar”, u shpreh inxhinieri, Erion Softa.