Shqipëria ka marrë përsipër të zbatojë në mënyrë të menjëhershme sanksionet e Bashkimit Europian ndaj Rusisë, por edhe ndaj Iranit. Ky detyrim që vendi ynë i jep vetes do të lind pas të miratohet në parlament projektligji “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, drafti i së cilit zotërohet nga gazeta “Si”.
Në relacion shpjegues thuhet se “Shqipëria zbaton sanksionet ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i Sigurisë së OKB-së dhe masat shtrënguese të BE-së, të cilat ndiqen në përputhje me angazhimet e politikës së jashtme të Shqipërisë por , që rrjedhin nga neni 8, i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e 2006 (MSA)”
Aktualisht, vendi ynë zbaton ato masa shtrënguese ndërkombëtare të ndërmarra në kuadër të rezolutave të KS , natyra e të cilave lidhet me terrorizmin apo financimin e terrorizmit. Por për momentin në legjislacionin shqiptar ka një boshllëk ligjor për masat shtrënguese që nuk lidhen me terrorizmin apo financimin e tij, por që kanë të bëjnë me financimin e armëve të shkatërrimit në masë, por që miratimi i këtij projekt drafti e mbush edhe këtë boshllëk .
Ligji që pritet të miratohet , do të zbatohet ndaj subjekteve për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara për akte të çdo formë të cenimit të paqes, sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, demokracisë, të drejtave të njeriut, të kryera brenda ose jashtë territorit të Shqipërisë.
“Subjektet, ndaj të cilave vendosen masat shtrënguese ndërkombëtare sipas këtij ligji, janë: shtetet; personat fizikë; personat juridikë; organizimet ligjore dhe entitete të tjera”.
Në nenin 5 të draftit janë përcaktuar edhe llojet e masave shtrënguese që Shqipëria duhet të ndërmarrë ku përfshihen: ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike; masat shtrënguese financiare; ndërprerja e plotë ose e pjesshme e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe financiare; ndërprerja e korrespondencës, lidhjeve postare, telegrafike, telekomunikacionit dhe lidhjeve të tjerave të komunikimit; ndalimi i transferimit, ndërmjetësimit, tregtimit, transportit, tranzitimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, dhënies së asistencës teknike dhe financiare, në lidhje me armët dhe pajisjet ushtarake jashtë vendit; ndalimi i hyrjes dhe kalimit transit në territorin e Shqipërisë të personave fizikë të huaj.
Gjithashtu parashikohet që për të huajt të kryhet edhe bllokimi i përkohshëm i aseteve që ndodhen në territorin e vendit.
Rusia dhe Irani sanksionet e BE-së
Shqipëria ndërkaq mësohet se i është bashkangjitur nismës së Bashkimit Europian për të zgjatur edhe një vit sanksionet ndaj Iranit. Ky vendim ka bërë jehonë në mediat ruse muaj më parë ku theksohet se 8 vende ku pjesë janë edhe ato si kandidate për anëtar në BE i janë bashkangjitur vendimit të Unionit për sanksionet për Iranin. Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovina, Islanda, Lihtenshtajni, dhe Norvegjia dhe Moldavia, ishin shtetet që mbështet kjo nismë.
“Vendet kandidate i përmbahen këtij vendimi. Bashkimi Europian merr parasysh këtë angazhim dhe e mirëpret atë”, do të raportonte agjencia e lajmeve ruse TASS. BE zgjati sanksionet anti-Iran përsëri në prill “në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut” në këtë vend. Ajo aplikohet për 82 persona dhe një organizatë. Përveç kësaj, sanksionet përfshijnë një ndalim të furnizimit të pajisjeve në Iran, i cili mund të përdoret për “represion” brenda vendit, si dhe për monitorimin e telekomunikacionit.
Përveç kësaj mediat ruse bëjnë të ditur se edhe me rastin e Ukrainës, Shqipëria ka vendosur të zbatojë vendimin e BE-së për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Ria Novosti raporti se “Përveç Ukrainës, vendet kandidate për anëtarësim në BE, Mali i Zi dhe Shqipëria, një kandidat i mundshëm Bosnje dhe Hercegovina, anëtar i Zonës Ekonomike Evropiane, Norvegjia dhe Gjeorgjia, iu bashkuan vendimit për shtrirjen e sanksioneve në Rusi”. Këto sanksione u zgjatën edhe me 6 muaj nga Bashkimi Europian.
“Lufta e ftohtë” mes Rusisë dhe Shqipërisë dhe dëbimi i diplomatëve
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë kanë pasur ulje e ngritje. Kjo edhe për faktin se Shqipëria i druhet influencës ruse në rajonin e Ballkanit, por edhe se Moska ka një ndikim të fuqishëm sa i përket marrëdhënieve pro Serbisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Kështu përplasjet nuk kanë munguar edhe për sa i përket marrëdhënieve mes dy vendeve edhe në zbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Kulmi i acarimit të marrëdhënieve mes dy vendeve do të ishte vendimi i qeverisë shqiptare për të dëbuar dy diplomatët rusë në Tiranë.
Kështu ministria e Jashtme në mars të vitit të kaluar paraqiti notën për të dëbuar Vladislav Filipov atasheu ushatarak dhe Alexey Balashov, sekretar i parë i Ambasadës ruse në Tiranë. Nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, vjen pasi veprimtaria e tyre vlerësohet se nuk përputhet me statusin diplomatik. Vendimi i Shqipërisë asaj kohe ishte në të njëjtën linjë me SHBA-të dhe disa vende të Bashkimit Europian. Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve ruse, ndërsa Gjermania, Franca, Ukraina, Kanadaja dhe vende të tjera kanë dëbuar po ashtu përfaqësuesit e Moskës.
“Ne shprehim protestë vendimtare mbi vendimin e marrë nga disa vende të BE-së dhe NATO-s për të dëbuar diplomatët rusë, do të ketë një përgjigje, do ta përpunojmë atë në ditët në vijim dhe do të japim përgjigjen tonë për secilin vend … Ne e konsiderojmë këtë hap si jo miqësor dhe nuk i shërbejmë detyrave dhe interesave të gjetjes së shkaqeve dhe gjetjes së autorëve të incidentit që u zhvillua më 4 mars në Salisbury ndaj ish agjentit Skripal dhe vajzës së tij “, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë. Moska do të përbetohej për hakmarrje ndaj këtyre shteteve.
Si rezultat i këtyre qëndrimeve të Tiranës zyrtare, presidenti rus Vladimir Putin ka përfshirë Shqipërinë në listën e shteteve që iu ndalohet eksporti i mallrave në Federatën Ruse. Dekreti i ndalimit është firmosur nga presidenti Vladimir Putin zgjati këto sanksione deri në dhjetor të vitit 2020. Vendimi fillimisht u more nga kryeministri Rus, Dmitry Medvedev .
Në verën e vitit 2014, Rusia ndaloi importet e një numri të produkteve ushqimore nga SHBA, Norvegjia, Australia, Kanada dhe vendet e BE në përgjigje të sanksioneve antiruse të vendosura për shkak të zhvillimeve në Ukrainë. Aktualisht, ndalimi i importeve përfshin gjithashtu Shqipërinë, Malin e Zi, Islandën, Lihtenshtajnin dhe Ukrainën. Që nga viti 2015, produktet e ndaluara për import ose pa informacion të besueshëm në lidhje me origjinën e tyre janë hequr nga shitja dhe shkatërruar.
Që kur u prezantua embargoja ushqimore, Autoriteti Bujqësor Rus ka shkatërruar më shumë se 32,000 ton mallra të importuara në mënyrë të paligjshme me origjinë shtazore dhe bimore.Ndërkaq një tjetër betejë ndërkombëtare po zhvillohet në Venezuelë. Shqipëria i është bashkuar nismës së BE-së dhe SHBA-së për të njohur si president jo Maduron, por liderin e opozitës, Juan Guidado. Rusia ka interesa strategjike në Venezuelë, pasi kompania e naftës Rosneft ka investuar atje. Deri më tani ndaj kësaj kompanie nuk i janë vendosur sanksione nga SHBA.