Partia Demokratike e opozitës i kërkoi sot prokurorisë të kryejë verifikime për deklarime të rreme në formularin e dekriminalizimit në lidhje me të kaluarën penale të drejtuesit socialist të bashkisë Vau i Dejës Mark Babani.
Opozita dyshon se ai ka fshehur ndalime, dënime dhe dëbime nga Italia dhe Maqedonia e Veriut, duke fshur edhe 3 identitete të tjera. Ajo dorëzoi në prokurori informacionin, sipas të cilave, zoti Marku dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali gjatë periudhës 1994 -1999 dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane.
Të dhëna të tjera tregojnë se ai ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe më pas dënuar edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës 2002-2003, sipas Partisë Demokratike,
“Mark Babani ka deklaruar se ka jetuar për 5 vite në Itali. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Mark Babani nga periudha 1994 – 2005 nuk ka udhëtuar asnjëherë në drejtim të Italisë me identitetin e tij real, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.” – i shkruan Partia Demokratike prokurorisë.
Sipas opozitës, Mark Babani nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit edhe 3 identete të tjera: Mark Babani ka deklaruar se ka mbajtur identitetin e ndryshuar Mark Ndoc Babaj, i datëlindjes 24.12.1966, por në mënyrë ilegale ka mbajtur edhe disa identitete të tjera, të padeklaruara në Formularin e Dekriminalizimit, si Mark Ndoc Babani 24.12.1965, Marq Saimir Babaj 11.06.1967 dhe Ylli Saimir Babaj 02.11.1968.
Por zoti Babani i tha “Zërit të Amerikës” se akuzat e PD nuk i përkasin atij dhe se nuk kanë lidhje as me emrin dhe as me jetën e tij. Ai u tregua i gatshëm të bashkëpunojë me prokurorinë.
“Për Mark Babanin, – tha ai, – nuk ka asnjë lloj dokumentacioni që mund të dalin, sepse po të kishte qenë në ndonjë vend tjetër edhe mund të kishin sajuar ndonjë gjë, por në Europë nuk kanë shans për të sajuar gjë. Në Europë nëse të shkruhet emri, të shkruhet. Marku, – tha ai, – nuk ka asnjë lloj frike për këto akuza”.
Kryetari i Bashkisë Vau i Dejës tha se akuzat janë të qëllimshme dhe janë bërë nga njerëz të korruptuar, duke lënë të kuptohet se vijnë nga ish drejtuesit demokratë të kësaj bashkie. Ai i quajti qesharake akuzat për tre identitete të tijat dhe u shpreh se gjithçka është e qartë në formularin e dekriminalizimit.
“Unë jam Mark Ndoc Babani. Kemi pasur mbiemrin Babaj dhe në vitin 1993 e kemi ndryshuar si familje në Babani. I lindur më 24 dhjetor të 1966 dhe i regjistruar me 8 janar 1967. Të gjitha këto ndryshime i kam vetdeklaruar në KQZ” – tha ai.
Zoti Babani bëhet kështu bashkiaku i tretë socialist dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, që dyshohet nga opozita se ka fshehur rekorde kriminale të jetës së tij, pas atij të Shkodrës dhe të Vorës. /VOA