Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas publikimit të raportit të OSBE ODIHR për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Rama shkruan se zgjedhjet u certifikuan si legjitime, ndërkohë që gjithë sa thuhet për këtë raport është përpjekje për të ngritur një furtunë në gotë.
Më anë të një postimi në Twitter, Rama shkruan se zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore.
Ndër të tjera kryeministri kërkon fokusim te reforma zgjedhore dhe shkruan se duhet të përgatiten zgjedhjet e ardhshme me frymë dialogu e bashkëpunimi dhe shton se dora është e shtrirë për të gjithë.
POSTIMI I PLOTE I KRYEMINISTRIT EDI RAMA
Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin,e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka çertifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet!
Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore.
Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë DIALOGU e BASHKEPUNIMI, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë.
Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re DIALOGU e BASHKEPUNIMI për Shqipërinë.