Qeveria ka miratuar me anë të një VKM fondin prej 100 milionë lekësh që do të shërbejë për akomodimin dhe funksionimin e Strukturës së Posacme Anti Korrupsion dhe Krimit të Organizuar.
Mësohet se fondi shtesë është miratuar me propozimin e Ministres të Financave dhe Ekonomisë Anila Demaj.
Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë të datës 4 shtator dhe do përballohet nga fondi rezervë i institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, për vitin 2019.
VENDIMI I QEVERISE
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2019, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BRENDSHME, PËR AKOMODIMIN DHE FUNKSIONIMIN E STRUKTURËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, dhe të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në programin buxhetor “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, në zërin “shpenzime kapitale”, i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, për përshtatjen e mjediseve të punës për Prokurorinë e Posaçme të Luftës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit si dhe për sigurimin e mjeteve e të pajisjeve të nevojshme për funksionimin e tyre.
2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, për vitin 2019.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.