Ditën e sotme kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka zhvilluar një takim me me Drejtorin për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të ShBA, David Kostelancik.
Në takim Kostelancik i ka kërkuar Ruçit që brenda vitit të përfundohet Reforma Zgjedhore dhe për më tepër opozita duhet të jetë pjesë e saj.
Në takim ishte e pranishme edhe e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones.
Kryetari i Kuvendit Ruçi i shprehu Drejtorit Kostelancik mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA për Shqipërinë, për ruajtjen e integritetit e sovranitetit të saj në momentet vendimtare të historisë, mbështetjen gjatë tranzicionit dhe në mënyrë të veçantë në mbështetjen e reformave kyçe për transformimim dhe shëndoshjen demokratike të Shqipërisë.
Duke u ndalur në kontributin e SHBA-së në reformën në drejtësi, z. Ruçi nënvizoi se kjo reformë nuk do të ishte e mundur pa këtë mbështetje. Kryetari i Kuvendit vlerësoi faktin që ShBA vazhdojnë ta kenë me prioritet në fokus rajonin e Ballkanit Perëndimor, çka e konfirmoi edhe emërimi nga sekretari Pompeo i z. Mattheë Palmer si i dërguar special për rajonin.
“Nënvizimi nga Palmer në Forumin e Bledit të Sllovenisë i çeljes së negociatave të BE-së me Shqipërinë si një prioritet i SHBA në rajon është me shumë rëndësi për ne dhe një mbështetje e madhe për rrugëtimin europian të Shqipërisë”, theksoi Kryetari i Kuvendit.
Drejtori David Kostelancik falënderoi Kryetarin Ruçi për vlerësimin e kontributit të ShBA dhe Ambasadës në Tiranë për thellimin e reformave për transformimin e Shqipërisë dhe vuri në dukje se Ballkani është me rëndësi jetike për ShBA, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Sekretarin Pompeo.
Kostelancik nënvizoi se SHBA e konsideron Shqipërinë si një aleat strategjik në NATO dhe e vlerëson shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me të.
Ai vuri në dukje nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore dhe rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit do të mundësoje edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020.
Drejtori Kostelancik nënvizoi mbështetjen e SHBA për reformën në drejtësi “Institucionet e reja të sistemit do tu shërbejnë qytetarëve sot e në të ardhmen dhe do të mundësojnë që shqiptarët të jetojnë në paqe e mirëqenie. Vettingu është mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet fort nga ShBA”, vuri në dukje zyrtari i DASH.
Ruçi nënvizoi se shumica qeverisëse dhe ai personalisht janë të angazhuar për kryerjen e reformës zgjedhore dhe për këtë do të bashkëpunojë edhe me opozitën parlamentare e joparlamentare, e cila ka të drejtën e vetos në komisionin e ri të reformës.
Kryetari i Kuvendit dhe Drejtori Kostelancik ishin të një mendjeje se kryerja e reformave është thelbësore për Shqipërinë dhe se qeveria dhe opozita duhet të punojnë bashkë për shëndetin e demokracisë në Shqipëri dhe prestigjin e vendit tonë në OSBE, NATO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.