Regjimi komunist i Shqipërisë e shpalli fenë të paligjshme dhe zhvilloi një fushatë të gjatë shtypjeje kundër besimtarëve të krishterë dhe myslimanë, duke burgosur dhe ekzekutuar klerikë dhe duke përndjekur familjet e tyre, por disa vazhduan ta praktikonin besimin e tyre në fshehtësi.
“Pasi mbaroi lufta, komunistët erdhën së bashku me shkatërrimin e tyre … Profesorët tanë të fesë u pushkatuan … u burgosën … ata na trajtuan si kafshë.”
At Ernest Simoni Troshani, një prift katolik shqiptar, kujton periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore në vendin e tij, kur regjimi i udhëhequr nga diktatori komunist Enver Hoxha nisi një goditje ndaj klerikëve dhe besimtarëve fetarë.
Pasi Troshani mbajti një meshë në kujtim të presidentit amerikan John Kennedy kur ai u vra në nëntor 1963, ai u arrestua në prag të Krishtlindjes dhe kaloi 28 vjet në burg.
Ai nuk ishte e vetmja figurë fetare që i nënshtrohej një shtypjeje të rëndë nën sundimin komunist. Një fjalim antikomunist që mbajti kleriku mysliman Hafiz Sabri Koçi bëri që ai të burgosej për më shumë se 20 vjet. Prifti katolik Shtjefen Kurti u pushkatua për pagëzimin e fëmijëve pasi ai kishte kaluar tashmë 20 vjet në burg, ndërsa një tjetër klerik mysliman, Hafiz Ali Kraja, e takoi djalin e tij për herë të parë në moshën pesë vjeçare përmes hekurave të një qelie në burgun ku u mbajt për dy dekada.
Vuajtjet e këtyre burrave ishin një rezultat i luftës së zhvilluar ndaj klerikëve të të gjitha feve nga Partia e Punës e udhëhequr nga Hoxha nën sloganin “Feja është opiumi i popullit” – një citim i adaptuar nga shkrimet e filozofit komunist Karl Marx.
Në vitin 1976, Partia e Punës madje e shpalli Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë, duke vendosur ndalimin e besimit fetar në kushtetutë dhe vendosjen e dënimeve për pjesëmarrje në ceremoni fetare dhe posedim të librave fetarë. Ndërkohë, inkurajohej besimi te Hoxha, komunizmi dhe partia.
Nëpërmjet një sistemi të mirëorganizuar propagande, përfshirë nëpër media dhe filma, shteti diktatorial i denigroi klerikët, duke i shënjestruar ata si të prapambetur, ndikues negative në shoqëri, agjentë të lidhur me Perëndimin, apo edhe anëtarë të rrezikshëm të grupeve të armatosura që kërkonin të merrin pushtetin me forcë.
Por, përkundër angazhimit të shtetit për shkatërrimin e institucioneve fetare, djegien e librave të shenjtë, burgosjen dhe ekzekutimin e priftërinjve dhe imamëve, disa familje shqiptare vazhduan të praktikonin besimin e tyre në fshehtësi edhe pse, si të ashtuquajtur “armiq të popullit”, kjo vuri në rrezik jetën e tyre.
Hoxha njofton ndalimin e fesë
Lufta kundër klerit filloi pasi komunistët erdhën në pushtet në Shqipëri në 1945. Ata i panë klerikë katolikë, të cilët kishin lidhje të forta ndërkombëtare dhe refuzonin propagandën komuniste, si një kërcënim.
Në dhjetor 1945 u arrestuan dhjetëra klerikë dhe besimtarë katolikë, 39 prej të cilëve u dënuan në gjyqe të udhëhequra nga ushtria, me dënime të ashpra të dhëna për ta. Në mars 1946, u ekzekutuan shtatë besimtarë.
Fushata kundër fesë u intensifikua pasi Hoxha mbajti një fjalim më 6 shkurt 1967 i cili filloi zyrtarisht betejën kundër “ideologjisë fetare”. Fjalimi i Hoxhës u pasua nga një letër e komitetit qendror të Partisë së Punës që synonte të udhëzonte sulmin ndaj fesë në të gjithë vendin.
“Feja është opiumi i popullit. Ne duhet të bëjmë çmos që të gjithë ta kuptojnë këtë, madje edhe ata që janë helmuar (të cilët nuk janë të pakët në numër). Ne duhet t’i shërojmë ata. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as e pamundur,” thuhej në letër.
Retorika politike dhe propaganda e fortë mediatike i nxiti të rinjtë të shënjestronin vendet fetare. Sipas Muzeut të Kujtesës, një projekt në internet nga Instituti Shqiptar i Studimeve Politike, u mbyllën 2,169 institucione fetare, përfshirë 740 xhami, 608 kisha ortodokse, 157 kisha katolike dhe 530 turbe (mauzole osmane) dhe teke (vendet fetare Sufi). Trashëgimia kulturore dhe historike u shkatërrua së bashku me to.
Nikolin Kurti, nipi i klerikut të persekutuar dhe disidentit Shtjefen Kurti, kujton se si kjo krijoi “një atmosferë pasigurie”. Ai kujtoi për një incident veçanërisht shqetësues në dimrin e vitit 1968 që ai vetë dëshmoi ndërsa po shkonte në shkollë në Tiranë një mëngjes.
“Në Rrugën e Kavajës, kishte një radhë të gjatë kamionësh të mbushur me njerëz. Kamionët do të çonin njerëzit në kampe internimi. Ata qëndruan atje për dy orë për të trembur njerëzit që shkonin në punë ose shkollë. Ata po përpiqeshin t’u tregonin të gjithëve rrezikun që i priste nëse “devijonin nga linja e partisë”,” tha ai.
Besimet fetare u ndaluan plotësisht në kushtetutën e Republikës Popullore të Shqipërisë në 1976, nëntë vjet pas fjalimit të Hoxhës.
Neni 37 i kushtetutës deklaronte: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe mbështet dhe zhvillon propagandë ateiste për të përfshirë njerëzit në botëkuptimin shkencor materialist.”
Ndërkohë, neni 55 ndalonte krijimin e ndonjë organizate me karakter fetar.
I arrestuar “në emër të popullit”
Një nga rastet më absurde të persekutimit e pësoi At Ernest Simoni Troshani, tani 90 vjeç, dhe një nga figurat më të respektuara katolike në Shqipëri.
“Ishte mbrëmja e Krishtlindjes më 24 dhjetor 1963, kur kisha mbaruar meshën dhe katër persona erdhën tek unë. Dy prej tyre kishin uniforma ushtarake dhe dy të tjerët ishin veshur civilë,” kujton Troshani.
“Ata më lidhën duart pas shpinës në një mënyrë brutale, sikur të isha një kriminel i rrezikshëm dhe më thanë se “po arrestohesh në emër të popullit” dhe shtuan:” Do të varesh sepse u ke thënë njerëzve dhe të rinjve se nëse është e nevojshme duhet të japim jetën për Jezus Krishtit.’ Ata më trajtuan me egërsi, para prindërve të mi të moshuar, sytë e të cilëve ishin mbushur me lot,” shtoi ai.
Duke qenë se praktikimi i fesë ende nuk ishte i ndaluar me ligj në atë pikë, klerikët u akuzuan për shkelje të tjera në raste të ndryshme të fabrikuara.
“Akuzat ishin të gjitha idiotësi, por në fund ato u formuluan si agjitacion, propagandë dhe përpjekje për arratisje dhe ata shtuan diçka tjetër në lidhje me një meshë që mbajta kur u vra John Kennedy, gjë që ishte e vërtetë sepse kur u vra presidenti amerikan, Papa i Romës këshilloi të gjithë priftërinjtë në botë të mbanin një meshë për shpirtin e tij,” shpjegoi Troshani.
Kleriku tha se ai ishte torturuar në zyrën e prokurorit në përpjekje për ta detyruar atë të pranonte akuzat e rreme kundër tij.
“Ata provuan çdo metodë, i shtrënguan aq shumë prangat saqë më ndaloi qarkullimi i gjakut… Nuk e di se si jam gjallë sot, por kur Zoti të përball me një gjyq, ai gjithashtu të jep fuqinë për t’u përballur me të,” tha ai.
Troshani u dënua me 25 vjet burg, 18 prej të cilave ai kaloi i burgosur në burgun politik të Spaçit në veri të vendit, ku të burgosurit ishin të detyruar të bënin punë të rëndë në minierat ngjitur të bakrit dhe piritit.
Në maj të vitit 1973, një grup të burgosurish organizuan një kryengritje kundër rojeve të tyre dhe filluan të thërrisnin për liri dhe fundin e komunizmit.
“Kampi ishte i rrethuar nga ushtarë të armatosur dhe ata filluan të qëllonin në ajër. Atëherë u arrestova së bashku me 12 deri në 13 persona të tjerë të akuzuar si organizatorë të rebelimit,” kujton Troshani.
“Nuk e kisha idenë fare se çfarë po ndodhte, por situata u përkeqësua kur ata i vendosën të gjithë pas një muri dhe filluan të thërrisnin emra. Tre persona u qëlluan për vdekje para meje,” vazhdoi ai.
Troshanit iu kursye jeta, por ai mbeti në burg. Edhe pse rregullat ishin të rrepta, ai vazhdoi të praktikonte besimin e tij në fshehtësi, duke mbajtur në meshë dhe duke marrë rrëfime. Ndërkohë, ndërsa persekutimi i shtetit ishte shtrirë edhe te familjet e klerikëve, të afërmit e Troshanit u vunë nën mbikëqyrje nga policia e frikshme sekrete, Sigurimi.
Por pasi u lirua përfundimisht nga burgu, Troshani u arrestua përsëri dhe u dënua të bënte punë të rëndë në kanalizime.
Ramazani pas hekurave të burgut
Klerikët myslimanë shqiptarë gjithashtu iu nënshtruan shtypjes nga regjimi komunist.
Mehdi Kraja, djali i një prej figurave më të famshme myslimane në Shqipëri, Hafiz Ali Kraja, kujton se si babai i tij kaloi shumë vite në burg pasi mbajti një fjalim me titull “Çfarë është komunizmi dhe pasojat e tij për fenë dhe kombin shqiptar”.
Fjalimi bëri që Hafiz Ali Kraja u klasifikua menjëherë si një antikomunist dhe kjoo e detyroi atë të fshihej me një familje në qytetin e Shkodrës për rreth dy vjet nga viti 1944 deri në vitin 1945.
Ai u fsheh në një bodrum, nga i cili doli vetëm pasi u shpall një amnisti e cila premtonte: “Të gjithë atyre që kërkohen nga autoritetet do t’u falet dënimi me vdekje dhe vetëm do të burgosen”.
Hafiz Ali Kraja atëherë u dënua me 25 vjet burg. Por ndërsa fshihej, vëllezërit e tij ishin torturuar nga autoritetet në përpjekje për t’i bërë ata të zbulonin vendndodhjen e tij.
“Ne nuk i treguam babait tonë se çfarë po ndodhte, por ai u habit kur vëllezërit e tij shkuan në burg,” tha djali i tij, Mehdi Kraja.
Fëmijët e klerikut u rritën pa e parë atë. Kur ai doli nga burgu, motra ime kishte frikë se nuk mund ta kuptonte që ai ishte babai i saj. Unë vetë e pashë babanë në shtëpi për herë të parë në moshën 26 vjeçare,” kujton Mehdi Kraja.
Ai gjithashtu kujtoi se si ishte keqtrajtuar në shkollë sepse babai i tij ishte në burg për veprimtaritë e tij fetare. Në një incident, një mësues e detyroi atë të rrinte në këmbë në klasë dhe u përpoq ta poshtëronte, duke e quajtur atë “bir të një reaksionari” dhe “bir të një armiku të popullit”.
Si të afërm të imamit të dënuar, familja e Krajës u dërgua në internim të brendshëm nga viti 1955 deri në vitin 1958 në Bajram Curri në veriun e largët të Shqipërisë.
Pavarësisht shtypjes, Kraja tha se babai i tij e priti Ramazanin në burg dhe familja e tij vazhdon të ndjekë traditat kulturore myslimane.
Hafiz Ali Kraja përfundimisht foli nga burgu në vitin 1965, pasi qëndroi në të për 19 vjet.
“S’e kisha parë kurrë në shtëpi babanë”
Një nga historitë më tragjike dhe absurde të persekutimit komunist në Shqipëri është ajo e At Shtjefen Kurtit.
Kurti lindi në vitin 1898 në Kosovë, që në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Ai studioi në Austri dhe Romë dhe pasi u shugurua si prift, erdhi në Shqipëri, ku iu dha shtetësia dhe mbështetje për misionin e tij katolik nga Mbreti Zog. Nipi i tij Nikolin Kurti tha se ai ishte prifti tek i cili ishte rrëfyer Nënë Tereza dhe Mbretëresha Geraldinë në oborrin mbretëror deri në vitin 1939.
Por pasi mbaroi Lufta e Dytë Botërore, me Partinë e Punës të Hoxhës tani në pushtet, Shtjefen Kurti u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me 20 vjet burg si agjent perëndimor, nga të cilat ai kreu vetëm 17 vjet.
Ai u lirua në moshën 68 vjeçare, kujton nipi i tij Nikolin Kurti.
“Kur doli nga burgu në vitin 1964, ai u kthye në shtëpi një natë dhe ajo ishte ata kur unë e njoha atë për herë të parë personalisht. Ai ishte i rrudhur, i kërrusur, i sëmurë,” tha Kurti.
Tre vjet pas lirimit të tij, Hoxha përshpejtoi luftën e tij kundër fesë dhe pas prishjes së kishave dhe xhamive, Kurti, tani i moshuar dhe i sëmurë, u caktua të bënte punë bujqësore në një fshat. Gjatë kësaj periudhe, ai u gjurmua nga 16 agjentë të sigurimit të shtetit, sipas dosjes së tij.
Megjithatë, ai gjithashtu pagëzonte fëmijët në fshehtësi. “Kjo u vu re nga sigurimi i shtetit dhe në vitin 1970 ai u arrestua në moshën 72 vjeçare,” tha Nikolin Kurti. Ai u akuzua për spiunazh, sabotim dhe kryeje në fshehurazi të ceremonive fetare.
Pas rënies së regjimit komunist, Nikolin Kurti hulumtoi detajet e përndjekjes së xhaxhait të tij dhe nga dosja e tij e sigurimit ai zbuloi se Shtjefen Kurti i ishte nënshtruar një gjyqi pesë ditor në një ndërtesë që në mënyrë ironike më parë kishte qenë kishë dhe më pas ishte dënuar me vdekje.
Raportet e gjykatës zbulojnë se si, pasi gjyqtari e pyeti priftin nëse kishte diçka për të thënë, Shtjefen Kurti u përgjigj: “Nuk po më dënoni me vdekje, sepse vdekjen dhe jeten e ka Zoti. Ju po më dënoni me shkurtim jete.”
Ai u ekzekutua në shtator 1971 në një vend i cili mbetet i panjohur edhe sot e kësaj dite, por familja e tij nuk u informua. “Familja e mori vesh këtë gjë në fillim të marsit 1973, kur një radio italiane raportoi në lajmet e saj se “në Shqipëri, Shtjefen Kurti ishte vrarë për pagëzim të fëmijëve”,” tha Nikolin Kurti.
Në raste të tjera, burgosja la fëmijë pa prindër për periudha të gjata të jetës së tyre të hershme. Qaramet Koçi, djali i klerikut mysliman të burgosur, Hafiz Sabri Koçi, tha se nuk e pa babanë e tij për 20 vjet, nga mosha shtatë vjeçare, deri në moshën 27 vjeçare.
Kur babai im erdhi në shtëpi, ishte një gëzim i madh, por unë nuk isha mësuar me këtë. Nuk e kisha parë kurrë babanë në shtëpi,” tha Qaramet Koçi.
Filmat përhapin propagandën antifetare
Gjatë epokës së Hoxhës, një ekip kinematografik në Kinostudion Shqipëria e Re iu përkushtua prodhimit të filmave që përhapnin propagandë antifetare.
Në filmat me tituj si ‘Liri a vdekje’ dhe ‘Te vdesësh në këmbë’, klerikët u akuzuan për organizimin e martesave të detyruara, të korruptuara, duke u përpjekur të rrëzonin autoritetet, për marrje ndihme nga fuqitë e huaja dhe si tradhtarë.
Filma të tillë propagandistik u transmetuan me qindra herë në të vetmin stacion televiziv shqiptar që ekzistonte përpara se të binte komunizmi dhe që ende vazhdojnë të shfaqen tani nga kanalet private në vend.
“Këta filma propagandistikë shkaktuan vetëm dëm. Vit pas viti, ata krijuan armiq imagjinarë, akuzuan padrejtësisht grupe njerëzish dhe krijuan realitete të rreme,” tha Jonila Godole, drejtuese e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë.
Qindra artikuj u botuan edhe nga gazetat shqiptare në përpjekje për të bindur lexuesit të ktheheshin kundër fesë, shpesh të shoqëruara nga fotografi nga gjyqet e klerikëve me tituj që i etiketonin ata si tradhtarë ose armiq të popullit, ose nga karikatura tallëse.
Tridhjetë e tre vjet ateizëm i detyrueshëm la gjurmë në shoqërinë shqiptare, tha sociologu Zyhdi Dervishi.
“Unë mendoj se shoqëria shqiptare hyri në ekonominë e tregut dhe proceset demokratike me dy katastrofa të mëdha, e para ishte një shtet i kalbur pa struktura shtetërore të konsoliduara dhe e dyta që ishte pa edukim fetar,” argumentoi Dervishi.
Ai sugjeroi se mungesa e vlerave fetare “dëmtoi shoqërizimin e shqiptarëve” dhe rezultoi në përfshirje më të gjerë në krim.
Pavarësisht ndalimit të adhurimit të Enver Hoxhës, i cili zgjati deri në rënien e komunizmit në vitin 1990, shumica e shqiptarëve sot thonë se janë besimtarë fetarë.
Sipas censusit të vitit 2011, 56.7 për qind e qytetarëve të vendit e konsiderojnë veten mysliman, 10.03 për qind janë katolikë, 6.75 për qind janë ortodoksë dhe 2.09 për qind janë bektashinj.
Një total prej 13.79 për qind nuk pranuan të thonin nëse ata kishin apo jo ndonjë besim të veçantë, por vetëm 2.5 për qind deklaruan se ishin ateistë.
Megjithatë, edhe pse shqiptarët tani janë të lirë të ndjekin cilëndo fe që ata zgjedhin, të afërmit e atyre që vuajtën për besimet e tyre nën sundimin e Hoxhës nuk do të mund të harrojnë kurrë historitë tragjike nga vitet e shtypjes./ BIRN