7 persona kanë rënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi me anë të një skeme mashtrimi u jepnin kredi fiktive klientëve nga degët e filialit të një fondacioni. Në pranga kanë rënë drejtoresha e kësaj dege A.I., ndërsa personat e tjerë ishin oficerë kredie. Mbi ta rëndon akuza për veprat penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe përfitimet në total deri tani llogariten deri në 3.7 milion euro.
Skema e mashtrimit
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se A.I., në pozicionin e drejtoreshës së njërës nga degët e filialit të fondacionit, kishte krijuar ketë skemë mashtrimi dhe në bashkëpunim me personat e tjerë të ndalur kanë lëshuar kredi në mënyre fiktive dhe klientët që kanë përfituar kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit për kredi.
Ata paraqiteshin vetëm në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë, këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët që siguronin klientët dhe në përfundim të këtij procesi nga Drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.
Shuma e kredive që janë dhëne nga ky staf, deri tani ka shkuar në vlerën 2 000 000 euro dhe në përditësimin e saj shkon në rritje.
Nga Drejtoresha e Degës, A. I., janë marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi, të cilat kapin vlerën deri në 1.7 milion euro.
TE ARRESTUARIT
A. I., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Drejtoreshë në një nga degët e filialit të Fondacionit.
B. K., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.
M. D., 27 vjeçe, banuese në Vorë, Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.
M.H., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën ish-Oficer kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.
E. V., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, Oficere kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.
O. D., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fiktive.
A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive, i cili aktualisht është me masë sigurie “Arrest në burg”, për një tjetër vepër penale dhe akuza do t’i komunikohet në ambientet e burgut.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një shtetasi, pjesëtar i grupit, në rolin e sekserit dhe vijon puna për kapjen e tij.