Një 27-vjeçar ishte kthyer në makthin e marketeve në kryeqytet. Ai vidhte nën kërcënimin e armës së zjarrit marketet dhe pikat e rimbushjes telefonike. Detajet i ka dhënë policia, e cila ka vënë të pranga të riun dhe ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë që dyshohet se e përdorte për vjedhjet.
Sipas forcave blu, 27 vjeçari E.B banues në Tiranë u kap gjatë operacionit policor të koduar ‘Maskimi”, i realizuar me metoda proaktive.
“Nga veprimet hetimore të kryera, të dokumentuara edhe me pamje filmike, dyshohet se ky shtetas, nën kërcënimin e një arme zjarri pistoletë ka kryer disa vjedhje si: një market në rrugën “Naim Frashëri”, një pike rimbushje telefonike në rrugën e Durrësit, si dhe dyshohet edhe në një pikë dhënie kredie në zonën e Zogut të Zi.
Në momentin e arrestimit, gjatë kontrollit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e proves materiale, një armë zjarri pistoletë me të cilën dyshohet të ketë kryer vjedhjet si dhe rrobat që kishte përdorur në realizimet e vjedhjeve bashkë me kapelet”, theksohet në njoftimin e policisë.
Vijon puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera kriminale, ku ky shtetas mund të jetë i implikuar. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja me armë”.