Nga Klodian Tomorri
Argumentat e listuar nga Presidenti në dekretet për rrëzimin e dy kontrave koncesionare në infrastrukturë, rrugës Thumanë-Kashar dhe asaj Orikum-Dukat, prekin thelbin e problemit kryesor të Shqipërisë sot. Vjedhjen përmes ligjit dhe përdorimin e ligjit për të amnistuar përgjegjësitë.
Kollona qëndrorë e këtij mekanizmi pervers është Parlamenti. Në prill të këtij viti, teksa qeveria kishte përfunduar procedurat për dhënien me koncesion të rrugëve Orikum-Dukat dhe Milot-Balldrenë duke autorizuar Ministrinë e Infrastrukturës të lidhte kontratat si hapi i fundit, Belinda Balluku bëri një lëvizje të beftë që në atë kohë pak kush i kushtoi vëmendjen e duhur.
E gjendur me dy patate të nxehta në dorë, ajo i propozoi Këshillit të Ministrave një projektvendim, që kontratat koncesionare të mos jenë më vendim ekzekutiv i qeverisë, por të miratohen me ligj të posaccëm nga Parlamenti. Vendimi kaloi me shpejtësi në Këshillin e Minstrave dhe më pas të dy kontratat koncesionare me vlerë 337 milionë euro u dërguan menjëherë në Parlament ku dhe morën votën e deputetëve.
Miratimi me ligj në parlament praktikisht është mburoja ligjore për ccdo shkelje apo vepër penale të mundshme në të gjithë procesin. Ai fshin ccdo përgjegjësi duke amnistuar korrupsionin potencial dhe fajtorët pas tij.
Koncesionet 600 milionë euro të rrugëve, biznesi 170 milionë euro i faturimit, tjetërsimi i 8 mijë metrave tokë publike tek Teatri Kombëtar, do të legalizohen të gjitha me ligj të posaccëm. Nga momenti që votohen në Parlament ato nuk do të kenë më asnjë shkelje ligjore dhe sigurisht edhe asnjë fajtor, pavarësisht se tjetërsojnë në mënyrë të dyshimtë qindra milionë euro para dhe asetet publike.
Ky mekanizëm është një “cul de sac”. Një conundrum, të cilin nuk e zgjidh dot as edhe një sistem ideal dhe totalisht i pakorruptuar drejtësie. Kjo pasi prokurorët dhe gjykatësit të dënojnë kur shkel ligjin. Por nëse abuzimi bëhet me ligj, atëhere nuk ka pasojë penale. Por pse Shqipëria ka rënë në këtë grackë? Problemi është Parlamenti.
Në të gjitha vendet e zhvilluara, barriera më e madhe e korrupsionit, nuk janë institucionet e drejtësisë, por Parlamenti. Nëse qeveria britanike do të tentonte të kalonte një ligj korruptiv në Parlament, gjasat janë që drafti do të rrëzohej dhe bashkë me të edhe qeveria. Kështu do të ndodhte në ccdo vend të zhvilluar demokratik. Por në Shqipëri, nëse qeveria do t’i propozonte Parlamentit një projektligj me një nen të vetëm, që thotë se “Pronari i Shqipërisë është Edi Rama”, atëherë të nesërmen të gjithë qytetarëve shqiptarë do t’u duhet të dilnin nga shtëpitë e tyre.
I shndërruar në noterin, i cili ligjëron cdo akt të qeverisë, Parlamenti praktikisht ka marrë sot rolin e armikut më të madh të interesit publik. Parimisht të gjitha qeveritë dhe institucionet publike, përfshirë ato më dashamirëset, janë të prirura të abuzojnë. Por Kuvendi i Shqipërisë ka shkuar edhe më larg. Ai është bërë mburoja e korrupsionit dhe amnistuesi i grabitësve.