Ditën e sotme është ekstraduar nga Anglia, Gentian Doda, i akuzuari për dy vrasje në vitin 1997 në Burrel por që arriti të shpëtojë nga dënimi me 20 vjet burg pasi korruptoi gjyqtarin Shkëlqim Miri.
Gentian Doda, u arrestua tre muaj më parë në Angli.
Krahas procesit në gjykatën e Lartë, e cila do të vendosë nëse do ta rikthejë sërish në burg Gentian Dodën, për vrasjen e dyfishtë të kryer në qytetin e Burrelit në 1997, i shumëkërkuari ka një tjetër hesap të pambyllur me Krimet e Rënda, ku po gjykohet për akuzën e korrupsionit.
Ai dyshohet se pagoi ryshfet shumën prej 20 mijë eurosh gjyqtarit të Apelit, Shkëlqim Miri, i cili i lehtësoi akuzën e në këtë mënyrë, Doda rifitoi lirinë.
Gentian Doda u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2012, pasi u arrestua atje për llogari të autoriteteve shqiptare. Ai akuzohej për vrasjen e Gazmir Dedjas dhe Asllan Gjokës, në tetor të 1997.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Manchester, u bë kapja dhe arrestimi në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim ekstadimi drejt Shqipërisë, i një shtetasi të shumëkërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Londra/Mbretëri e Bashkuar drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar G. D., 41 vjeç, lindur në Tiranë.
Shtetasi G. D, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi:
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal nr. 416, datë 10.11.2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të drejtësisë” .
Gjithashtu, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin penal nr. 1249, datë 09.11.2017 ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Shtetasi G.D. në bashkëpunim me shtetas të tjerë I ka dhënë një shumë prej 30.000 eurosh gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë (Sh.M.) me qëllim lehtësimin e pozitave të tij dhe lirimin nga burgu për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, e cila me vendimin penal nr. 41, datë 26.01.2001 e kishte dënuar këtë shtetas me 20 vjet burgim për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin penal nr. 896, datë 07.06.2017 ka vendosur lënien në fuqi të vendimin penal nr. 94, datë 20.09.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, duke favorizuar pozitën e shtetasit G. D. dhe lirimin e tij nga burgu.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Manchester, u bë i mundur arrestimi i tij në Mbretërinë e Bashkuar, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.