Qeveria ka miratuar kriteret e reja për certifikimin e agroturizmeve dhe ndërtimin e strukturave në funksion të tyre, duke vendosur kushte më të qarta për sipërfaqet e fermave, kapacitetet akomoduese dhe origjinën e produkteve ushqimore.
Sipas vendimit, subjektet që ofrojnë akomodim nuk mund të kenë më shumë se 60 shtretër, ndërsa të paktën 70% e ushqimeve dhe pijeve duhet të sigurohen nga ferma e tyre ose prodhuesit lokalë. Për t’u certifikuar, fermat bujqësore duhet të disponojnë të paktën 1 hektar tokë në pronësi ose përdorim, ndërsa fermat blegtorale të paktën 0.5 hektarë. Për njësitë e akuakulturës kërkohet një sipërfaqe ujore minimale prej 3.000 metrash katrorë.
Agroturizmet do të duhet të ofrojnë shërbime ushqimi dhe pijesh, si dhe aktivitete argëtuese ose edukative të lidhura me fermën. Origjina e produkteve do të verifikohet përmes faturave, regjistrave të prodhimit dhe dokumentacionit të furnitorëve.
Vendimi përcakton gjithashtu rregulla të reja për ndërtimet. Lejet do të miratohen nga bashkitë, ndërsa për investimet brenda brezit bregdetar kompetenca i takon Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit. Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me subjektet që përfitojnë grante apo lehtësi fiskale pa ushtruar realisht aktivitet agroturistik. Në këto raste, shfuqizimi i certifikatës do të sjellë nisjen e procedurave për rikuperimin e fondeve dhe përfitimeve të marra.
Aplikimet do të kryhen përmes portalit e-Albania, ndërsa certifikata përfundimtare do të ketë vlefshmëri pesëvjeçare, me të drejtë rinovimi.







