Anëtarësimi në Bashkimin Europian sjell përfitime konkrete për ekonomitë kombëtare, duke nxitur konkurrueshmërinë, investimet dhe rritjen e qëndrueshme. Kështu u shpreh ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë gjatë Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, ku theksoi rëndësinë e afrimit të rajonit me tregun e përbashkët europian. Si shembull të ndikimit ekonomik të integrimit, ambasadorja përmendi Poloninë, ekonomia e së cilës, sipas saj, u trefishua pas anëtarësimit në BE.
“Anëtarësimi në BE krijon tregje konkurruese dhe rritje të qëndrueshme ekonomike. Ekonomia e Polonisë u trefishua pas anëtarësimit në BE. Përfitimet e integrimit fillojnë përpara anëtarësimit në BE. Synojmë afrimin e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët europian.”
Ambasadorja nënvizoi se transformimi ekonomik i rajonit nuk mund të mbështetet vetëm te fondet publike, por kërkon edhe më shumë investime private dhe reforma strukturore.
“Fondet publike nuk mjaftojnë për transformimin ekonomik të rajonit. Qeveritë duhet të përshpejtojnë reformat dhe të forcojnë shtetin e së drejtës. Investitorët kërkojnë institucione funksionale dhe zbatimin e ligjit.”
Ajo theksoi se forcimi i bizneseve lokale, përmirësimi i klimës së investimeve dhe përafrimi me standardet europiane janë thelbësore për rritjen e konkurrueshmërisë së Ballkanit Perëndimor.







