Shqipëria synon të shndërrojë pozicionin e saj gjeografik dhe procesin e integrimit europian në avantazhe konkrete për tërheqjen e investimeve të huaja. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor në Tiranë, u bëri thirrje investitorëve ndërkombëtarë të shfrytëzojnë potencialin ekonomik të rajonit.
Sipas Hoxhës, Ballkani Perëndimor mund të luajë një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike të Europës, veçanërisht përmes zhvillimit të infrastrukturës, energjisë dhe teknologjisë.
“Ballkani Perëndimor e ka vendin në zemër të Evropës dhe mund të bëhet një nga burimet e reja të rritjes së saj ekonomike. Kjo ka rëndësi për ne dhe për Evropën në tërësi. Sot Evropës i duhen katër gjëra. I duhen zinxhirë furnizimi që u rezistojnë goditjeve. I duhen rrugë të sigurta furnizimi me energji. I duhen kapacitete teknologjike dhe njerëz të kualifikuar për të mbetur konkurruese në një botë ku ritmi është më i shpejtë, konkurrenca më e ashpër dhe hapësira për gabime më e vogël se dhjetë vjet më parë. Ballkani Perëndimor mund të ndihmojë në të katër drejtimet, brenda hapësirës rregullatore evropiane dhe shumë më pranë tregjeve të BE-së se alternativat e tjera.” deklaroi ministri.
Në fokus të fjalimit të tij ishte edhe Korridori VIII, i cili sipas Hoxhës do të lidhë Adriatikun me Detin e Zi dhe do të krijojë mundësi të reja për tregtinë, prodhimin dhe logjistikën. Ai veçoi gjithashtu investimet në energjinë diellore, projektet e ndërlidhjes energjetike dhe zhvillimin e teknologjisë.
Ministri theksoi se investitorët kërkojnë siguri, parashikueshmëri dhe institucione funksionale. Në këtë drejtim, ai nënvizoi rëndësinë e reformave, forcimit të gjyqësorit, transparencës së prokurimeve publike dhe përgatitjes së fuqisë punëtore të kualifikuar.
Hoxha bëri të ditur se Shqipëria ka siguruar deri më tani mbi 212 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, përmes parafinancimit dhe pagesave të lidhura me rezultatet e reformave. Në përfundim, ai kërkoi që konferenca të prodhojë projekte konkrete dhe marrëveshje investimi, duke theksuar se suksesi i saj do të matet me numrin e marrëveshjeve që do të nënshkruhen.







