Afati për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me normën tatimore 5% pritet të shtyhet me një vit. Një projektligj i depozituar në Kuvend propozon që procesi të vijojë deri më 31 dhjetor 2027, duke u dhënë më shumë kohë qytetarëve dhe bizneseve për të përditësuar vlerën e pronave sipas çmimeve aktuale të tregut. Aktualisht, skema parashikon që rivlerësimi të kryhet deri më 31 dhjetor 2026. Me ndryshimet e propozuara, afati do të zgjatet deri në fund të vitit të ardhshëm. Shtyrja do të përfshijë si individët, ashtu edhe personat juridikë që kanë pasuri të paluajtshme të regjistruara në bilanc me vlerë më të ulët se ajo e tregut.
Projektligji parashikon gjithashtu një afat shtesë për aplikimet e depozituara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për të cilat është paguar tatimi i rivlerësimit, por që ende nuk kanë përfunduar procedurat administrative. Në këto raste, procesi do të mund të përmbyllet deri më 31 mars 2028, me kusht që aplikimi dhe pagesa të jenë kryer brenda afatit të ri ligjor.
Ndërkohë, për personat juridikë, diferenca e krijuar nga rivlerësimi i pasurive gjatë vitit 2027 parashikohet të pasqyrohet në pasqyrat financiare të këtij viti. Skema aktuale u mundëson pronarëve të përditësojnë vlerën e regjistruar të pronës duke paguar një tatim prej 5% mbi diferencën ndërmjet vlerës së mëparshme dhe asaj të rivlerësuar. Për shembull, nëse një apartament figuron në dokumentacion me vlerë 5 milionë lekë, ndërsa vlera e tij aktuale e tregut është 10 milionë lekë, pronari duhet të paguajë 250 mijë lekë tatim për diferencën prej 5 milionë lekësh.
Rivlerësimi është veçanërisht i rëndësishëm për qytetarët që kanë përfituar prona përmes blerjes, trashëgimisë, privatizimit apo legalizimit, me vlera të ulëta ose zero në dokumentacionin e pronësisë. Përditësimi i vlerës mund të ulë detyrimin tatimor në rast se prona shitet në të ardhmen, pasi fitimi kapital llogaritet mbi bazën e vlerës së re të regjistruar. Procesi mund të kryhet përmes një eksperti të licencuar të vlerësimit të pasurive të paluajtshme ose nëpërmjet drejtorive vendore të Kadastrës, duke iu referuar çmimeve minimale fiskale. Aplikimi realizohet përmes portalit e-Albania.
Projektligji pritet të shqyrtohet në Kuvend, ndërsa shtyrja e propozuar synon t’u japë më shumë kohë pronarëve për të përfituar nga rivlerësimi me normën tatimore 5%.







