Forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte në fokus të takimit të ambasadorit amerikan Eric Wendt me përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë.
Takimi bëri bashkë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe institucioneve shqiptare e amerikane, me synimin për të përcaktuar hapat e mëtejshëm në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe zgjerimin e mundësive për investime. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane në Tiranë bëri të ditura tri prioritetet kryesore të diskutimit: krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës, forcimin e lidhjeve mes kompanive amerikane dhe shqiptare, si dhe investimin te brezi i ri.
“Rritja e bizneseve amerikane dhe krijimi i mundësive në Shqipëri ecin bashkë”, thuhet në mesazhin e ambasadës, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit ekonomik mes dy vendeve. Fokusi te konkurrenca e ndershme dhe krijimi i lidhjeve të reja mes sipërmarrjeve synon të nxisë një klimë më të favorshme për biznesin dhe të hapë perspektiva të reja bashkëpunimi për kompanitë shqiptare dhe amerikane.








