Banka e Shqipërisë ka çelur edicionin e 20-të të Workshop-it të Kërkimit Ekonomik për Evropën Juglindore, i cili zhvillohet në Tiranë më 24 dhe 25 nëntor. Aktiviteti mbledh studiues dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare për të diskutuar mbi sfidat e politikës monetare, stabilitetin financiar dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në një mjedis ekonomik të karakterizuar nga pasiguri të lartë.
Në fjalën hapëse, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u ndal te kompleksiteti në rritje i vendimmarrjes së bankave qendrore, në kushtet e goditjeve të jashtme dhe ndryshimeve strukturore në ekonomi. Sipas tij, kërkimi ekonomik luan një rol kyç në identifikimin e rreziqeve dhe në mbështetjen e politikave me analiza të qëndrueshme dhe të argumentuara.
Sejko theksoi se kërkimi i zhvilluar nga Banka e Shqipërisë ndër vite ka kontribuar në hartimin e politikës monetare, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe forcimin e sistemit financiar. Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për analiza më të avancuara, parashikimin e skenarëve të ndryshëm ekonomikë dhe studimin e ndërveprimit mes politikës monetare dhe stabilitetit financiar.
Një nga temat kryesore të diskutimit është edhe përdorimi i inteligjencës artificiale në kërkimin ekonomik. Guvernatori vlerësoi potencialin e kësaj teknologjie, por theksoi se zbatimi i saj duhet të shoqërohet me standarde të larta metodologjike.
Në kuadër të këtij angazhimi, Banka e Shqipërisë prezantoi dy nisma të reja: krijimin e një serie të përbashkët botimesh kërkimore dhe hartimin e një kuadri që do t’u mundësojë studiuesve akses në mikrodatat e institucionit.
Gjatë dy ditëve të workshop-it do të prezantohen 40 punime kërkimore, tetë prej të cilave janë realizuar nga autorë ose bashkautorë të Bankës së Shqipërisë. Folësi kryesor i këtij edicioni është profesori i Universitetit të Çikagos, Harald Uhlig, i cili do të trajtojë rolin e rezervave dhe ndërhyrjeve të bankave qendrore në situatat kur tregjet përballen me ngrirje të aktivitetit.
I organizuar për herë të parë në vitin 2007, Workshop-i i Kërkimit Ekonomik për Evropën Juglindore është kthyer në një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe rezultateve kërkimore mes studiuesve dhe institucioneve ndërkombëtare. Në 20 edicionet e tij janë prezantuar gjithsej 495 punime, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 139 institucione në 44 vende të botës.







