Moti i keq ka përfshirë territorin e Shqipërisë gjatë orëve të fundit, duke shkaktuar probleme në infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike dhe transportin ajror. Sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, strukturat përgjegjëse dhe grupet e punës në varësi të Ministrisë ndodhen në terren për menaxhimin e situatës dhe normalizimin e problematikave.
Qarkullimi vijon normalisht në të gjitha akset nacionale, por në disa rrugë janë evidentuar rënie gurësh dhe inertesh. Problematika janë evidentuar edhe në furnizimin me energji elektrike. Aktualisht raportohen 52 fidera jashtë pune, kryesisht në zonat rurale të Matit, Mirditës, Lushnjës dhe Bajram Currit.Ndërhyrjet e ekipeve teknike paraqesin vështirësi për shkak të distancave të mëdha të rrjetit elektrik dhe terrenit të vështirë. Ndërkohë, linjat 35 kV, nënstacionet dhe fiderat që furnizojnë me energji elektrike hidrovorët vijojnë të jenë në funksion.
Sa i përket situatës në kaskadën e Drinit, prurjet natyrore në kaskadën e Drinit janë 250 m³/s në HEC Fierzë, 800 m³/s në HEC Koman dhe 50 m³/s në HEC Vau i Dejës. Edhe në Portin e Durrësit moti i keq ka shkaktuar ndërprerje të përkohshme të një pjese të aktivitetit. Tragetet kanë mbërritur sipas orarit dhe përpunimi i kontejnerëve vijon normalisht, ndërsa reshjet e shiut kanë pezulluar përkohësisht shkarkimin e një pjese të mallrave.
Vështirësi janë regjistruar edhe në trafikun ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”. Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, pesë avionë nuk kanë mundur të kryejnë uljen në Tiranë dhe janë detyruar të devijojnë drejt aeroporteve alternative. Ndërkohë, fluturimet në nisje nga aeroporti i Tiranës vijojnë normalisht.







