Shqipëria ka vënë në funksionim sistemin e pagesave të menjëhershme IPSA, pjesë e platformës rajonale TIPS Clone, duke shënuar një hap të ri drejt digjitalizimit të pagesave dhe modernizimit të sistemit financiar. Ceremonia zyrtare e lançimit të platformës u zhvillua në Romë, pranë Bankës Qendrore të Italisë, në prani të guvernatorëve të bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor.
Përmes një videomesazhi drejtuar qytetarëve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, bëri të ditur se sistemi IPSA do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të kryejnë transferta brenda vendit në kohë reale, 24 orë në ditë, shtatë ditë të javës, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare. Fondet do të mbërrijnë në llogarinë e përfituesit brenda pak sekondash.
Sipas Sejkos, sistemi i ri pritet të nxisë përdorimin e pagesave elektronike dhe të reduktojë kostot që lidhen me përdorimin e parasë fizike dhe transfertat tradicionale.
“Sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë, të kryer në bashkëpunim me Bankën Botërore, kalimi nga pagesat me para fizike dhe transfertat në sportel drejt pagesave elektronike mund t’i sjellë ekonomisë kursime prej rreth 400 milionë eurosh. Sistemi IPSA e lehtëson këtë kalim duke i bërë pagesat elektronike më të shpejta dhe më të aksesueshme”, u shpreh Sejko.
Ai iu referua edhe një studimi të Bankës së Shqipërisë, të realizuar në bashkëpunim me Bankën Botërore, sipas të cilit kalimi nga pagesat me para fizike dhe transfertat në sportel drejt pagesave elektronike mund t’i sjellë ekonomisë shqiptare kursime prej rreth 400 milionë eurosh. Për të kryer një transfertë të menjëhershme, klientët duhet të zgjedhin opsionin përkatës në aplikacionin e bankës ku kanë llogarinë. Një tjetër element i rëndësishëm është kostoja e shërbimit: tarifa për transfertat e menjëhershme nuk do të jetë më e lartë se ajo e një transferte të zakonshme me të njëjtën monedhë dhe karakteristika.
Ndërkohë, transfertat e menjëhershme deri në 40 mijë lekë, të kryera përmes aplikacionit bankar, do të ofrohen pa komision. Aktivizimi i IPSA-s synon të lehtësojë transaksionet financiare për qytetarët dhe bizneset, të rrisë përdorimin e pagesave digjitale dhe të kontribuojë në uljen e kostove të ekonomisë shqiptare.








