Mbrojtja e infrastrukturave kritike të informacionit pritet të kalojë në një fazë më të rreptë kontrolli. Ndryshimet e propozuara në ligjin për sigurinë kibernetike synojnë t’u japin institucioneve përgjegjëse një panoramë më të qartë mbi mënyrën se si funksionojnë dhe mbrohen sistemet që mbështesin shërbimet jetike në vend. Sipas projektligjit, operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme do të kenë detyrimin të vetëdeklarojnë masat organizative dhe teknike që kanë marrë për sigurinë kibernetike. Krahas kësaj, ata do të duhet të raportojnë edhe mënyrën e hostimit dhe administrimit të sistemeve, rrjeteve dhe infrastrukturave të informacionit. Këto të dhëna do t’i shërbejnë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike për të vlerësuar nivelin e mbrojtjes dhe për të identifikuar pikat ku sistemet mund të jenë të ekspozuara ndaj sulmeve.
Një tjetër element i rëndësishëm është kalimi drejt masave më aktive të parandalimit. Operatorët do të detyrohen të zbatojnë masat teknike të komunikuara nga Autoriteti, përfshirë bllokimin, filtrimin, kufizimin dhe neutralizimin e treguesve të komprometimit apo të sulmeve, si dhe korrigjimin e cenueshmërive të evidentuara. Projektligji parashikon gjithashtu forcimin e strukturave sektoriale që merren me reagimin ndaj incidenteve kibernetike, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes tyre dhe strukturës kombëtare të reagimit. Për funksionimin e këtyre strukturave, kostoja e parashikuar vjetore arrin në rreth 111.1 milionë lekë, përfshirë pagat dhe kontributet shoqërore e shëndetësore. Në një tjetër drejtim, ndryshimet synojnë të rrisin edhe standardet e produkteve dhe shërbimeve teknologjike që përdoren nga operatorët, duke parashikuar certifikimin e tyre dhe përdorimin e detyrueshëm të produkteve të certifikuara për kategori të caktuara infrastrukture.







