Çmimet e naftës kanë nisur javën me rënie, të ndikuara nga shitjet masive në tregjet globale të aksioneve, të cilat kanë ushtruar presion edhe mbi tregun e lëndëve të para. Megjithatë, tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe kërcënimet ndaj transportit detar kanë kufizuar humbjet.
Sipas Reuters, kontratat e së ardhmes për naftën bruto Brent ranë me 0.3%, duke u tregtuar në 92.29 dollarë për fuçi, deri në orën 02:16 të së hënës. Ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) regjistroi një rënie prej 0.18%, në 83.26 dollarë për fuçi.
Kjo ecuri vjen pas tri javësh radhazi me çmime në rënie. Gjatë javës së kaluar, Brent humbi 4% të vlerës, ndërsa WTI u zhvlerësua me 5%.
Presioni mbi çmimet lidhet kryesisht me lëvizjet negative në tregjet financiare globale, ku shitjet e aksioneve kanë ndikuar edhe në kërkesën për lëndët e para. Megjithatë, rreziqet për furnizimin me naftë nga Lindja e Mesme vijojnë të mbajnë tregun nën tension.
Të dielën, rebelët Houthi të Jemenit morën përgjegjësinë për një sulm ndaj një rafinerie nafte në Arabinë Saudite. Ndërkohë, gjatë fundjavës u raportuan edhe disa sulme ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik dhe pranë Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit global të naftës.
Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e furnizimit dhe kanë kufizuar rënien e mëtejshme të kuotimeve në tregjet ndërkombëtare.
Përplasjet në rajon dhe rreziku për ndërprerjen e transportit përmes Ngushticës së Hormuzit mbeten ndër faktorët kryesorë që mund të përcaktojnë ecurinë e çmimeve të naftës në ditët në vijim.







