Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur mbështetjen për vijimin e projektit të hidrocentralit të Skavicës, duke e cilësuar atë si një investim strategjik për sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Përmes një reagimi zyrtar, SHBA mirëpret angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për realizimin e këtij projekti, i cili pritet të kontribuojë në garantimin e një furnizimi më të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët shqiptarë.
Sipas deklaratës, përveç rëndësisë për sigurinë energjetike, hidrocentrali i Skavicës krijon gjithashtu mundësi për investime të besuara dhe hapësira të reja bashkëpunimi për kompanitë dhe punonjësit amerikanë. Projekti i Skavicës konsiderohet një ndër investimet e rëndësishme në sektorin energjetik shqiptar, me ndikim në kapacitetet prodhuese dhe në qëndrueshmërinë e sistemit energjetik të vendit.







