Zhvillimi i energjisë diellore po hap mundësi të reja për investime në Shqipëri, duke sjellë njëkohësisht nevojën për më shumë kapacitete depozitimi, zhvillim të rrjetit dhe lehtësim të procedurave për bizneset. Këto ishin disa nga mesazhet e diskutimeve në çeljen e edicionit të pestë të Panairit të Energjisë, Ndërtimit dhe Ekonomisë së Gjelbër, ECGE 2026.
Përfaqësues të institucioneve, sipërmarrës dhe ekspertë u ndalën te transformimi i tregut energjetik, veçanërisht te zgjerimi i investimeve në impiantet fotovoltaike. Sipas tyre, kjo rritje duhet të shoqërohet me infrastrukturën dhe zgjidhjet teknologjike që mundësojnë integrimin dhe shfrytëzimin më të mirë të energjisë së prodhuar. Ndërkohë që, nga ana e institucioneve po punohet edhe me anën legjislative.
“Bazuar në ligjin që kemi miratuar në qershor të këtij viti jemi duke riparë të gjithë aktet nënligjore, duke përshtatur dhe konceptet e reja që janë futur: Koncepti i depozitimit apo i ruajtjes së energjisë, koncepti i agregatorit dhe i rolit të konsumatorit, i cili tashmë është konsumator aktiv në treg”, – tha Gledis Kalemi, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Tregu është transformuar pafund dhe tregu i energjive po zhvillohet, por gjithmonë bizneset private synojnë për burokracitë. Ne gjithmonë kërkojmë dicka më të shpejtë, më efektive”, – tha Bruno Papaj, themelues i Vega Group.
“Të investoni, disomos duke nisur nga godinat. Sidomos zgjidhjet e akumulimit janë ato të cilat e ndihmojnë shumë rrjetin sepse në këtë mënyrë mund të menaxhojë fuqitë, hapësirat e tensionit”, – tha Luca Demattè, themelues i Esaving,
“Duhet që tregu të vazhdojë liberalizimin, çka do të ndihmonte që KESH-i të mos varej nga detyrimi i shërbimit publik për të dhënë patjetër energji në treg “, – tha Ilir Bejtja, ish-zv.ministrër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Me 80 kompani pjesëmarrëse, panairi sjell në një hapësirë teknologji, produkte dhe shërbime për energjinë, ndërtimin dhe ekonominë e gjelbër. Në dy ditët e aktivitetit, 55 folës dhe 14 forume diskutimi trajtojnë sfidat dhe mundësitë që po formësojnë këta sektorë. I organizuar nga I-Exhibitions, edicioni i pestë i panairit zhvillohet më 19 dhe 20 nëntor në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë. Vizitorët mund të njihen nga afër me zgjidhjet e ekspozuara dhe të ndjekin diskutimet mbi energjinë diellore, depozitimin, eficiencën, financimin e investimeve dhe ndërtesat inteligjente. Hyrja është pa pagesë, përmes regjistrimit në faqen zyrtare të aktivitetit.








