Pas Diellës, në sistemin e ri të prokurimeve publike do të përfshihet edhe një tjetër personazh i inteligjencës artificiale, i quajtur Gjon. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të modelit të ri të Prokurimeve të Përqendruara, ku theksoi se të dy do të marrin përsipër një sërë procesesh të këtij sistemi.
Rama u shpreh se përfshirja e inteligjencës artificiale synon të rrisë transparencën dhe kontrollin mbi procedurat, duke bërë të mundur që edhe kompanitë që humbasin tenderët të verifikojnë manualisht çdo fazë të procesit.
Sipas kryeministrit, automatizimi nuk do të nënkuptojë një proces të mbyllur apo vendimmarrje të deleguar tërësisht te teknologjia. Ai garantoi se vendimmarrja përfundimtare do të mbetet në duart e njeriut dhe se çdo pretendim për parregullsi do të mund të verifikohet.
“Kam besim që kur Diella bashkë me Gjonin, i cili do të shfaqet së shpejti në këtë fushë, do të jenë shumë më tepër në zotërim të procesit, besoj dhe dua të shpresoj që do të fitojë bindja se ka fitues me të drejtë dhe ka humbës me meritë”, deklaroi Rama. Kreu i qeverisë shtoi se kompanitë që nuk shpallen fituese do të kenë mundësi të kontrollojnë një më një dokumentet dhe etapat e procedurës.
“Procesi do të jetë i kontrollueshëm manualisht. Nuk do të ketë një proces të mbyllur në ekranin e Diellës, por një proces ku çdokush që do të ketë pretendime mund ta ndjekë manualisht. Vendimmarrja do të jetë përsëri e njeriut”, theksoi ai.
Gjatë fjalës së tij, Rama përmendi edhe interesimin e gazetës amerikane “The New York Times” për Diellën, duke iu referuar debatit të hapur mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në këtë model. Modeli i ri i Prokurimeve të Përqendruara synon të reduktojë burokracitë për institucionet dhe bizneset, të rrisë sigurinë dhe transparencën, si dhe të përmirësojë eficiencën e përdorimit të fondeve publike.







