Mbi 300 startup-e janë aktualisht pjesë e ekosistemit të sipërmarrjeve inovative në Shqipëri, ndërsa qeveria synon të zgjerojë mbështetjen financiare dhe mundësitë për zhvillimin e tyre. Gjatë hapjes së Javës Globale të Sipërmarrjes 2026, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi rezultatet e deritanishme dhe prioritetet për vitin 2027. Në Konferencën Rajonale “Inovacioni në Ballkanin Perëndimor”, e zhvilluar në Tiranë nën moton “Ndërto nga Shqipëria”, Ibrahimaj u shpreh se vendi ka kaluar nga një ekosistem pa regjistër dhe tregues të qartë për startup-et, në një model më të strukturuar, me mbi 300 sipërmarrje që kanë zhvilluar produkte dhe synojnë zgjerimin në tregjet ndërkombëtare. Ministrja bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar financimi për këtë ekosistem u dyfishua, duke arritur në 600 milionë lekë, për rreth 170 startup-e. Si rezultat i kësaj skeme, 43 produkte janë tashmë në treg dhe në funksion, ndërsa u mbështetën financiarisht edhe tetë lehtësues të ekosistemit, të cilët ofrojnë mentorim dhe asistencë për sipërmarrësit.
Fondi Shqiptar i Inovacionit, gati në vitin 2027
Një nga zhvillimet kryesore të paralajmëruara nga Ibrahimaj është krijimi i Fondit Shqiptar të Inovacionit, një instrument i ri financimi që synohet të ngrihet gjatë vitit 2027. Sipas ministres, ky mekanizëm do të krijohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe është pjesë e treguesve të reformës në kuadër të Instrumentit të Reformave dhe Rritjes. Një tjetër prioritet është hapja e Akademisë së Startup-eve, e cila do të ofrojë edukim, trajnim dhe zhvillim të aftësive për sipërmarrësit në të gjithë vendin, jo vetëm në Tiranë. Qeveria synon gjithashtu të rrisë ekspozimin ndërkombëtar të startup-eve shqiptare, përmes pjesëmarrjes në panaire dhe aktivitete jashtë vendit. Në këtë drejtim, Ibrahimaj përmendi bashkëpunimin me Departamentin e Senatit të Berlinit për Çështjet Ekonomike, Energjinë dhe Ndërmarrjet Publike, si dhe institucionin publik francez të investimeve “Bpifrance”.
GovTech, mundësi të reja për inovatorët në sektorin publik
Në fokus të planeve për vitin e ardhshëm do të jetë edhe zhvillimi i GovTech, me synimin për t’u krijuar sipërmarrjeve inovative më shumë mundësi bashkëpunimi me institucionet publike. Përmes këtij mekanizmi, startup-et do të mund të ofrojnë produkte dhe shërbime inovative për sektorin publik, duke respektuar rregullat dhe procedurat e Bashkimit Europian. Ministrja vuri theksin edhe te bashkëpunimi rajonal, duke argumentuar se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë më shumë përmes ndërthurjes së kapaciteteve, shkëmbimit të përvojave dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta. Java Globale e Sipërmarrjes 2026 zhvillohet nga 16 deri më 22 nëntor, me 43 aktivitete në Tiranë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë. Programi përfshin konferenca, trajnime, workshop-e, masterclass-e dhe takime me investitorë e ekspertë ndërkombëtarë, me fokus nxitjen e inovacionit, financimin dhe krijimin e partneriteteve të reja.







