Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka firmosur urdhrin për uljen e tarifave të pajisjes me pasaporta dhe karta identiteti për tre kategori qytetarësh. Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027 dhe përfshin fëmijët nën 16 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët mbi 65 vjeç.
Sipas vendimit, për fëmijët nën 16 vjeç tarifa e pasaportës do të ulet nga 7,500 në 6,000 lekë. Ndërkohë, për personat me aftësi të kufizuara, karta e identitetit do të kushtojë 1,000 lekë, nga 1,500 lekë që është aktualisht, ndërsa pasaporta do të ofrohet me tarifën 6,000 lekë. Ulje do të ketë edhe për qytetarët mbi 65 vjeç, të cilët do të paguajnë 1,000 lekë për kartën e identitetit, nga 1,500 lekë që kushton aktualisht.
Kreu i Ministrisë së Brendshme e cilësoi këtë vendim si përmbushje të një angazhimi të deklaruar më herët, gjatë një daljeje publike më 2 tetor. Sipas tij, lehtësimi i kostove për qytetarët duhet të shoqërohet edhe me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.
“Për shumë familje, çdo shpenzim ka rëndësi. Prandaj është detyra jonë t’ua lehtësojmë marrjen e shërbimeve publike. Por dua të jem i qartë: qytetarët duhet të paguajnë më pak dhe të shërbehen më mirë!”, u shpreh Demo. Ministri theksoi se ulja e tarifave është pjesë e një angazhimi më të gjerë për shërbime më të shpejta, më pak burokraci dhe më shumë kujdes ndaj qytetarëve. Ai garantoi gjithashtu se do të ndjekë personalisht zbatimin e vendimit.







