Bizneset e prekura vijojnë të raportojnë dëmet e shkaktuara në njësitë e tyre tregtare përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”, të dedikuar për evidentimin e pasojave të shkaktuara. Sipas të dhënave, deri më tani janë regjistruar 125 aplikime online, ndërsa vlera totale e dëmeve të deklaruara nga bizneset arrin në 3.59 milionë euro.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjitha bizneseve të prekura që të vijojnë me raportimin e dëmeve përmes shërbimit të dedikuar në portalin qeveritar e-Albania, si dhe në faqen zyrtare të institucionit, www.tatime.gov.al. Përmes këtij procesi synohet evidentimi i dëmeve të shkaktuara dhe lehtësimi i procedurave të raportimit për subjektet e prekura. Administrata Tatimore deklaron se mbetet e angazhuar për të mbështetur bizneset gjatë këtij procesi.








