Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar qytetarët për qarkullimin e mesazheve mashtruese të tipit “phishing”, të cilat përdorin emrin e institucionit për të përvetësuar të dhëna personale dhe bankare. Sipas njoftimit të BSH-së, në këto mesazhe pretendohet se llogaria bankare e marrësit është pezulluar, ndërsa qytetarëve u kërkohet të klikojnë në një lidhje për të përditësuar të dhënat e tyre. Banka e Shqipërisë sqaron se bëhet fjalë për mesazhe të rreme, të cilat synojnë të mashtrojnë përdoruesit dhe të sigurojnë akses në informacionet e tyre sensitive. Për këtë arsye, institucioni u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhjet e përfshira në këto mesazhe dhe të mos u përgjigjen atyre. Gjithashtu, këshillohet që të mos ndajnë të dhëna personale, informacione të kartës bankare, fjalëkalime, PIN apo kode njëpërdorimëshe.
Në rastet kur qytetarët kanë ndarë tashmë të dhënat e tyre ose konstatojnë veprime të paautorizuara në llogari, BSH rekomandon kontaktimin e menjëhershëm të bankës përmes kanaleve zyrtare. “Raportoni çdo mesazh të tillë pranë organeve kompetente”, apelon Banka e Shqipërisë, duke kërkuar vigjilencë të shtuar ndaj tentativave për mashtrim nëpërmjet komunikimeve elektronike.
“Mos klikoni në lidhjen e përfshirë në mesazh dhe mos iu përgjigjni atij. Mos jepni të dhëna personale, të dhëna të kartës bankare, fjalëkalime, PIN ose kode njëpërdorimëshe. Nëse keni dhënë të dhëna ose vini re veprime të paautorizuara në llogarinë tuaj, kontaktoni menjëherë bankën tuaj përmes kanaleve të saj zyrtare. Raportoni çdo mesazh të tillë pranë organeve kompetente”, paralajmëron BSH.







