Qyteti i Zyrihut në Zvicër do të aplikojë pagën minimale prej 23.90 frangash zvicerane bruto në orë, duke nisur nga 1 janari 2027. Masa pritet të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhurat e rreth 17 mijë punonjësve me paga të ulëta, kryesisht në sektorët e pastrimit, gastronomisë dhe tregtisë me pakicë.
Megjithatë, punëdhënësve do t’u lihet një periudhë kalimtare deri në fund të vitit 2027 për të përshtatur pagat me standardin e ri. Bizneset që provojnë se përballen me vështirësi financiare mund të kërkojnë edhe dy vite shtesë për zbatimin e plotë të masës. Kërkesat e arsyetuara për këtë përjashtim mund të paraqiten duke nisur nga tremujori i dytë i vitit 2027.
Vendosja e pagës minimale vjen pas një procesi disa vjeçar. Në vitin 2023, rreth 70% e votuesve në Zyrih mbështetën këtë nismë përmes referendumit, por zbatimi i saj u vonua për shkak të kundërshtimeve nga partitë konservatore. Vetëm në vitin 2026, Gjykata Federale konfirmoi ligjshmërinë e masës, duke i hapur rrugë hyrjes së saj në fuqi.
Në hartimin e rregulloreve zbatuese do të përfshihen edhe partnerët socialë, ndërsa Këshilli i Qytetit ka vendosur që ankesat kundër rregullores të mos kenë efekt pezullues, për të shmangur vonesa të tjera.
Partia Socialdemokrate e ka mirëpritur vendimin, duke vlerësuar se përfituesit kryesorë do të jenë punonjësit me të ardhura të ulëta, shumica e të cilëve në sektorët përkatës janë gra. Edhe të Gjelbrit kanë përshëndetur masën, por kanë kërkuar kontrolle efektive për të garantuar zbatimin e saj dhe për të shmangur përjashtimet që mund të dobësojnë mbrojtjen e punonjësve.







