Linjat e transportit ndërqytetës të udhëtarëve pritet t’i nënshtrohen një riorganizimi të thellë deri në vitin 2030, me synimin për të eliminuar mbivendosjet, për të përmirësuar lidhjet mes qyteteve dhe për të garantuar shërbim edhe në zonat ku aksesi në transport është i kufizuar. Reforma është pjesë e Strategjisë Sektoriale të Transportit 2030, e cila parashikon rishikimin e itinerareve, koordinimin e orareve dhe modernizimin e flotës së autobusëve.
Sipas dokumentit, organizimi aktual i transportit ndërqytetës përcaktohet kryesisht nga oferta e operatorëve në treg dhe jo nga një analizë e plotë e nevojave për lëvizshmëri. Kjo ka sjellë mbivendosje të linjave, modele joefikase shërbimi, përdorim të autobusëve të vjetër dhe raste të funksionimit informal. Për të adresuar këto problematika, strategjia parashikon realizimin e një vlerësimi kombëtar të kërkesës për transport, duke marrë në konsideratë shpërndarjen e popullsisë sipas qarqeve dhe bashkive, nevojat e zhvillimit rajonal, si dhe raportin mes ofertës dhe kërkesës për udhëtime.
Në bazë të kësaj analize do të rishikohen linjat ekzistuese, me synimin për të hequr itineraret e përsëritura ose të mbivendosura. Linjat që rezultojnë me performancë të ulët mund të konsolidohen ose bashkohen, ndërsa për zonat që kanë mungesë të shërbimit do të krijohen lidhje të reja transporti.
Një tjetër drejtim i reformës është rinovimi gradual i flotës së autobusëve. Përmes stimujve fiskalë dhe skemave të financimit, synohet të nxiten operatorët privatë të investojnë në mjete elektrike, hibride dhe me emetime të ulëta, duke reduktuar ndotjen dhe përmirësuar cilësinë e shërbimit. Strategjia parashikon gjithashtu përdorimin e procedurave konkurruese të prokurimit dhe lidhjen e kontratave të shërbimit publik të bazuara në performancën e operatorëve. Paralelisht, do të synohet rritja e standardeve për sigurinë, komoditetin e udhëtarëve dhe aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuara.
Përmes këtyre ndërhyrjeve, synohet krijimi i një rrjeti më të organizuar të transportit ndërqytetës, ku linjat dhe oraret të përcaktohen në përputhje me nevojat reale të qytetarëve dhe zhvillimin e territorit.






