Pajisja me faturat e parcelës ndërtimore për të gjithë qytetarët që kanë legalizuar banesën e tyre tashmë kryhet tërësisht online dhe pa pagesë nëpërmjet portalit e-Albania. Ky shërbim i ri nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) synon të shmangë radhët dhe paraqitjen fizike, duke e bërë më të thjeshtë mbylljen e procedurave për tokën.
Për shumë qytetarë, përfundimi i legalizimit të banesës nuk do të thotë se është përmbyllur automatikisht edhe dokumentacioni i tokës ku ajo është ndërtuar.
Kur parcela është pronë shtetërore dhe plotësohen kushtet ligjore, qytetari duhet të ndjekë procedurën për blerjen e saj. Faturat e parcelës ndërtimore shërbejnë për të përcaktuar vlerën që duhet paguar dhe për të vijuar me procedurën përkatëse të kalimit të tokës në pronësi.
Pas pagesës së faturës së parcelës, qytetari mund të aplikojë për pajisjen me certifikatë pronësie për truallin, duke i bashkëlidhur aplikimit mandatet e pagesave të kryera.
Faturat elektronike, të pajisura me vulë digjitale, dërgohen direkt në seksionin “Dokumentet e mia” të qytetarit. Përmes tyre përcaktohet vlera e blerjes së truallit shtetëror, çka hap rrugën për pajisjen përfundimtare me certifikatë pronësie.
Por cilat janë kategoritë që përfitojnë ulje deri në 100%? Kuadri ligjor (VKM nr. 446, datë 26.07.2023) parashikon lehtësi të rëndësishme financiare për kategoritë në nevojë. Konkretisht përjashtim total në masën 100 % për Invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, personat me statusin e të verbrit, bashkësitë fetare për objektet e kultit, si dhe institucionet arsimore, shëndetësore apo sociale. Ulje me 50% për familjet me anëtarë me aftësi të kufizuara, familjet njëprindërore me fëmijë në ngarkim, familjarët e dëshmorëve të atdheut dhe pensionistët. Ulje me 30%për poseduesit e ndërtimeve që përfitojnë ndihmë ekonomike.
Gjithashtu, qytetarët mund të përfitojnë një ulje shtesë prej 20% nëse pagesa shlyhet brenda 30 ditëve nga njoftimi, si dhe mundësinë e përdorimit të bonove të privatizimit deri në 50% të vlerës së tokës.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka përcaktuar procedurat për pajisjen me fatura të parcelave ndërtimore, të cilat ndryshojnë në varësi të statusit të pronësisë së tokës.
Për tokat shtetërore, qytetarët mund të aplikojnë online pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së, ndërsa vlera llogaritet sipas çmimit zyrtar të zonës. Në rastet kur toka është në pronësi të të tretëve, faturat lëshohen pas miratimit të kompensimit të ish-pronarëve nga Këshilli i Ministrave.
Ndërkohë, për pronat me dokumentacion të rregullt, si kontrata shitjeje, dhurimi apo trashëgimie, qytetarët mund të aplikojnë drejtpërdrejt për certifikatën e pronësisë së bashkuar, duke paguar vetëm tarifën e regjistrimit.
Përmes këtij shërbimi online, ASHK synon të thjeshtojë procedurat administrative, duke u mundësuar qytetarëve aplikimin pa paraqitje fizike në sportele dhe pa pagesë për vetë aplikimin.







