Kryeministri Edi Rama ka kërkuar mobilizimin e strukturave të Partisë Socialiste në të gjithë territorin, duke theksuar nevojën për një komunikim më të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe përqendrim te shqetësimet e tyre. Gjatë Asamblesë së PS-së, Rama deklaroi se mandati i marrë nga socialistët nuk duhet të shihet thjesht si një mandat katërvjeçar, por si një përgjegjësi që kërkon dëgjim të vazhdueshëm të qytetarëve.
“Një mandat si ky nuk është një mandat katërvjeçar i radhës. Një mandat si ky është një mision i ngarkuar nga një popull i tërë”, u shpreh Rama.
Ai kërkoi që socialistët të zhvillojnë takime në çdo lagje dhe fshat, duke komunikuar edhe me qytetarët që nuk e kanë mbështetur Partinë Socialiste. Kryeministri theksoi se shumica qeverisëse duhet të jetë e gatshme të japë shpjegime dhe të dëgjojë kritikat, pavarësisht rezultatit elektoral. Sipas tij, përparimi i vendit drejt Bashkimit Europian nuk duhet të largojë vëmendjen nga problemet e përditshme të qytetarëve.






