Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian si një objektiv tashmë të prekshëm, duke iu referuar progres-raportit të Komisionit Europian dhe kërkesës për nisjen e përgatitjeve për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit. Në fjalën e tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama u ndal te vlerësimi i Komisionit Europian, i cili i kërkon Këshillit Europian të nisë punën për përgatitjen e traktatit që do të përcaktojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Kreu i qeverisë e cilësoi këtë moment si historik, duke theksuar se procesi i integrimit europian nuk është më thjesht një ëndërr apo premtim politik, por një mundësi konkrete drejt së cilës duhet të përqendrohen të gjitha energjitë dhe kapacitetet e vendit.
“I kërkohet Këshillit Europian të nisë përgatitjet për të hartuar Traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Dua ta dëgjojë çdo shqiptar dhe shqiptare që na ndjek. Faqja e fundit e historisë që po e shkruajmë ne, PS, e paarritshme deri dje, por sot, e prekshme”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se Shqipëria ndodhet përpara një momenti vendimtar dhe se të gjitha forcat duhet të angazhohen për të përmbyllur procesin e integrimit. Sipas Ramës, vendi ka bërë një rrugë të gjatë nga vështirësitë ekonomike dhe financiare të së kaluarës, ndërsa sot synimi i anëtarësimit në Bashkimin Europian është më pranë se kurrë.






