Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka raportuar në Komisionin për Ekonominë lidhur me buxhetin e investimeve për vitin 2027, ku ka ndalur te skema e pensioneve, mbështetja për pensionistët dhe programi i strehimit.
Gjatë diskutimit, Ibrahimaj theksoi se qëndrueshmëria afatgjatë e skemës së sigurimeve shoqërore mbetet një objektiv i rëndësishëm, ndërsa nënvizoi ndikimin që ka rritja e pagave në financimin e saj.
Për vitin 2027, janë parashikuar 4 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve. Sipas ministres, qeveria synon që procesi i indeksimit të shtyhet nga muaji prill në tetor.
Ndërkohë, fondi për bonusin mujor të pensionistëve parashikohet të dyfishohet, duke arritur në 20 miliardë lekë.
“Qëndrueshmëria afatgjatë e skemës kërkon vëmendje. Rritja e pagave ndikon drejtpërdrejt në skemë. Përmirësimi i sistemit të sigurimeve shoqërore është një objektiv afatgjatë. Fondi prej 4 miliardë lekësh synon indeksimin e pensioneve dhe do ta shtyjmë indeksimin nga prilli në tetor. Është parashikuar që të dyfishohet bonusi mujor i pensionistëve dhe ky buxhet është në nivelin 20 miliardë lekë”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja u ndal gjithashtu te programi i strehimit, duke bërë të ditur se skema e re parashikon mbështetje për familjet dhe çiftet e reja, në kuadër të politikave për lehtësimin e aksesit në banesa.






