“Shahu do të ketë mbështetje financiare të veccantë për t’u shtrirë në sa më shumë shkolla në vend”, kështu është shprehur kryeministri Edi Rama. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku ndau pamje nga ambientet e reja të Shtëpisë së Shahut, Rama e cilësoi këtë një hap të rëndësishëm për komunitetin shahistik dhe për zhvillimin e kësaj disipline te fëmijët.
Kreu i qeverisë theksoi se do të vihet në dispozicion një buxhet i dedikuar për zgjerimin e shahut në shkolla, në kuadër të nismës për shtimin e disiplinave sportive në institucionet arsimore.
Sipas Ramës, shahu ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin mendor të fëmijëve, veçanërisht në një kohë kur ata përballen me ekspozim të lartë ndaj celularëve dhe rrjeteve sociale.
“Shahu në shkolla, shahu për fëmijët është sot më i rëndësishëm se asnjëherë tjetër, për faktin se është një ushtrim shumë i shëndetshëm i mendjes në kushtet kur mendja e fëmijëve tanë është e kërcënuar nga një furi e tërë të dhënash që hyjnë përmes celularëve, përmes rrjeteve sociale”, u shpreh Rama.
Kryeministri bëri të ditur se procesi për zgjerimin e lëvizjes sportive në shkolla ka nisur më herët, ndërsa shahu është përfshirë në këtë nismë që prej vitit të kaluar.
“Do t’i japim një vëmendje të veçantë, do t’i japim një buxhet të veçantë për ta shtrirë në sa më shumë shkolla”, deklaroi Rama. Mbështetja e paralajmëruar synon të rrisë aksesin e nxënësve në këtë disiplinë, e cila ndihmon në zhvillimin e përqendrimit, logjikës dhe aftësive strategjike.








