Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2027 synohet ngritja e një sistemi të ri inspektimesh, me kontrolle më të koordinuara dhe procedura më të thjeshta për bizneset. Pas pjesëmarrjes në konferencën “INVEST & COMPLY IN ALBANIA”, Ibrahimaj theksoi se reforma në proces synon të reduktojë kontrollet e mbivendosura, të rrisë transparencën dhe të lehtësojë barrën administrative për sipërmarrjen.
Sipas ministres, sistemi i ri do të synojë një zbatim më efikas të ligjit, duke shmangur kontrollet e panevojshme dhe duke përmirësuar marrëdhënien mes institucioneve dhe biznesit. Ibrahimaj bëri të ditur gjithashtu se do të hapet një proces i ri dialogu me sipërmarrjen, për të diskutuar standardet europiane, identifikuar problematikat dhe reduktuar kostot e panevojshme. eforma synon të krijojë një mjedis më transparent dhe më të favorshëm për bizneset, në kuadër të përgatitjeve për integrimin në tregun europian.
Reagimi i plotë:
Në konferencën “INVEST & COMPLY IN ALBANIA”, diskutuam për reformën e inspektimeve dhe përmirësimin e marrëdhënies mes institucioneve dhe biznesit. Reforma që kemi në proces synon të reduktojë kontrollet e mbivendosura, të rrisë transparencën dhe të lehtësojë barrën administrative për sipërmarrjen.
Gjatë vitit 2027 synojmë ngritjen e sistemit të ri të inspektimeve, për kontrolle më të koordinuara, procedura më të thjeshta dhe zbatim më efikas të ligjit. Do të hapim një proces të ri dialogu me bizneset, për të diskutuar standardet europiane, për të identifikuar problematikat dhe për të reduktuar kostot e panevojshme. Ftojmë shoqatat dhe çdo biznes të bëhen pjesë e këtij diskutimi, që së bashku të përmirësojmë procedurat, të garantojmë konkurrencë të ndershme dhe të përgatitemi për tregun e përbashkët europian.








