Bordi i Transparencës ka vendosur të ulë çmimet e shitjes së karburanteve në tregun vendas. Sipas vendimit të marrë këtë të enjte, 5 nëntor, nafta do të tregtohet me jo më shumë se 210 lekë për litër, ndërsa benzina me 169 lekë për litër.
Konkretisht, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin është përcaktuar në 210 lekë/litër, nga 212 lekë/litër që ishte më parë. Ndërkohë, çmimi i shitjes me shumicë do të jetë jo më shumë se 198 lekë/litër. Për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është ulur në 169 lekë/litër, ndërsa ai me shumicë është caktuar në 157 lekë/litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 5 nëntor, në orën 13:45 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës. Ky i fundit u ka rikujtuar operatorëve të tregtimit të karburanteve detyrimin për të zbatuar çmimet e përcaktuara, duke paralajmëruar se në rast shkeljesh do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Vendimi vjen në kuadër të masave të marra nga qeveria për kufizimin e përkohshëm të çmimeve në tregun e hidrokarbureve.







