Shqipëria do të investojë rreth 32.5 milionë euro për forcimin e sigurisë kufitare gjatë viteve 2026–2027. Plani i ri i veprimit i Ministrisë së Brendshme parashikon instalimin e radarëve për mbikëqyrjen e hapësirës detare dhe liqenore, pajisjen e Policisë Kufitare me mjete lundruese, si dhe modernizimin e sistemeve të kontrollit në pikat e kalimit kufitar.
Sipas relacionit shoqërues të projektvendimit, kostoja totale e planit arrin në 3.12 miliardë lekë, ose rreth 32.5 milionë euro. Nga kjo shumë, 1.74 miliardë lekë parashikohen për vitin 2026 dhe 1.38 miliardë lekë për vitin 2027. Një nga ndërhyrjet kryesore lidhet me forcimin e kontrollit të kufirit detar, përmes instalimit të radarëve dhe pajisjes me mjete lundruese. Synimi është përmirësimi i monitorimit të hapësirës detare dhe liqenore, si dhe rritja e kapaciteteve për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme ndërkufitare.
Plani parashikon gjithashtu vënien në funksionim të Qendrës Kombëtare të Koordinimit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit. Për këtë strukturë do të miratohet organizimi, do të sigurohen pajisjet teknike dhe do të trajnohen punonjësit që do të operojnë në të. Një tjetër komponent i rëndësishëm është bashkëpunimi me FRONTEX, përmes zhvillimit të operacioneve të përbashkëta në zbatim të marrëveshjes së re statusore. Parashikohet gjithashtu forcimi i bashkëpunimit me vendet fqinje dhe vijimi i negociatave për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe doganor me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Sa i përket financimit, 2.35 miliardë lekë, ose 75.3% e kostos totale, do të mbulohen nga Programi Buxhetor Afatmesëm 2026–2028, ndërsa 772.6 milionë lekë, ose 24.7%, do të sigurohen nga Bashkimi Evropian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Pjesa më e madhe e shpenzimeve, rreth 73%, lidhet me kostot korente, përfshirë burimet njerëzore, operacionet e përbashkëta, analizën e riskut dhe modernizimin e sistemeve doganore. Ndërsa 841.4 milionë lekë janë parashikuar për investime kapitale në sisteme, pajisje dhe infrastrukturë. Sipas relacionit, plani është i financuar në masën 100% dhe nuk krijon efekte financiare shtesë përtej fondeve të parashikuara në buxhetet e institucioneve përgjegjëse. Masat synojnë gjithashtu përafrimin e sistemit shqiptar të menaxhimit të kufirit me standardet evropiane, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.







