Si ndërtohet një biznes që rritet përtej kufijve? Si identifikohen mundësitë e reja dhe çfarë roli do të luajë Inteligjenca Artificiale në të ardhmen e sipërmarrjes? Këto janë disa nga temat që do të diskutohen me z.Samir Mane në AllWeb 2026.
Themeluesi dhe Presidenti i BALFIN Group, Samir Mane, do të jetë një prej të ftuarve specialë të edicionit të nëntë të AllWeb Digital Conf, që zhvillohet më 6 nëntor, në Arka Art Hotel, Tiranë.
Në një Fireside Chat , z. Mane do të ndajë perspektivën e tij mbi sipërmarrjen, inovacionin, vendimmarrjen dhe mundësitë që sjell Inteligjenca Artificiale për bizneset.
Rrugëtimi i tij sipërmarrës nisi në vitin 1993, kur themeloi Alba-Trade në Vjenë, një kompani e specializuar në tregtinë e pajisjeve elektronike. Më shumë se tri dekada më vonë, ajo nismë është shndërruar në BALFIN Group, një prej grupeve më të mëdha të investimeve në Europën Juglindore, me rreth 85 kompani, aktivitet në nëntë sektorë të ekonomisë dhe prani në 13 vende të Europës dhe Amerikës së Veriut.
Në vitin 2025, Samir Mane u bë shqiptari i parë që u përfshi në listën botërore të miliarderëve të Forbes. Ai u rendit sërish në vitin 2026, me një pasuri të vlerësuar nga revista në 1.9 miliardë dollarë.
Por biseda në AllWeb do të shkojë përtej shifrave dhe historisë së suksesit.
Nga identifikimi i mundësive të para të biznesit, te ndërtimi i një grupi ndërkombëtar investimesh, e deri te pyetja se çfarë vjen më pas, diskutimi do të eksplorojë mënyrën se si sipërmarrësit përballen me ndryshimin, si marrin vendime për të ardhmen dhe si mund të shfrytëzojnë teknologjitë e reja për të krijuar vlerë.
Pjesëmarrja e z.Mane vjen në një edicion të AllWeb që këtë vit zhvillohet nën temën “ALL FOR AI & AI FOR ALL”, duke bashkuar ekspertë ndërkombëtarë, drejtues biznesesh, sipërmarrës dhe profesionistë të teknologjisë, marketingut dhe inovacionit. Konferenca do të sjellë prezantime, diskutime dhe demonstrime praktike të Inteligjencës Artificiale, përfshirë për herë të parë edhe AI Agents si folës në skenë.
Konferenca AllWeb 2026 zhvillohet më 6 nëntor, në Arka Art Hotel – Teatri Astrit Sula, Tiranë, nga ora 09:00 deri në 17:00./ Bussines Mag
Programi i plotë i konferencës: https://allweb.digital/agenda/







