Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale të Shqipërisë, duke i hapur rrugë zbatimit të hartës së re të njësive të qeverisjes vendore. Me ndarjen e re, numri i bashkive në vend do të reduktohet nga 61 në 46, duke sjellë ndryshime në organizimin territorial të pushtetit vendor.
Harta e re do të zbatohet në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, kur qytetarët do të votojnë për kryetarët dhe këshillat bashkiakë sipas ndarjes së re. Përmes dekretit të tij, Presidenti ka shpallur ligjin nr. 100/2026, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Në dekretin e kreut të shtetit, në mbështetje të nenit 84, pika 1, dhe nenit 93 të Kushtetutës, thuhet:
“DEKRETOJ:
Shpalljen e ligjit nr. 100/2026, ‘Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë’.”
Me këtë ndryshim, Shqipëria do të ketë 15 bashki më pak se aktualisht, ndërsa 12 qarqet ekzistuese do të mbeten të pandryshuara.







