Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës pritet të vijojë me pesë faza të tjera investimi, nga faza VI deri në fazën X. Në listën e investimeve që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2027 janë parashikuar 16.2 miliardë lekë për këto ndërhyrje, të cilat do të financohen gjatë periudhës 2028-2031.
Sipas planifikimit buxhetor, secila prej fazave VI, VII, VIII dhe IX ka një vlerë prej 3 miliardë lekësh, ndërsa faza X parashikohet me një fond prej 4.2 miliardë lekësh. Këto investime sugjerojnë vijimin e zgjerimit përtej mbikalimit të Rinasit, megjithëse në dokumentin buxhetor nuk përcaktohen kufijtë kilometrikë të secilit segment.
Ndërkohë, për vitin 2027, për zgjerimin e këtij aksi janë planifikuar 2.56 miliardë lekë. Fondet do të mbështesin dy lotet ku kanë nisur punimet deri në nënkalimin e Limuthit, si dhe fazat IV dhe V. Deri më tani, segmenti i parë prej rreth 6 kilometrash, nga Tirana deri te mbikalimi i Rinasit, është hapur plotësisht për qarkullimin që prej prillit 2026. Ky segment ka gjithsej 8 korsi, nga 4 për secilin drejtim, dhe klasifikohet si rrugë e kategorisë A.
Zgjerimi i mëtejshëm synon rritjen e kapacitetit të një prej akseve më të rëndësishme të transportit në vend, që lidh kryeqytetin me portin e Durrësit, aeroportin e Rinasit dhe zonat bregdetare.








