Nga ndjekja e investimeve publike te gjurmimi në kohë reale i ankesave dhe aplikimeve, qeveria prezanton “Pasqyrë Albania”. Platforma do të ofrojë edhe informacion mbi vendimet e bashkive, konsultimet publike dhe nismat qeveritare.
Një platformë e vetme dixhitale për të ndjekur ankesat, aplikimet dhe investimet publike, duke i dhënë qytetarëve mundësinë të shohin se ku ndodhet kërkesa e tyre dhe institucioneve përgjegjëse detyrimin për të kthyer përgjigje brenda afateve ligjore. Kjo është “Pasqyrë Albania”, projekti i ri i qeverisë, i cili sipas kryeministrit Edi Rama pritet të bëhet së shpejti i aksesueshëm për publikun.
Risia kryesore e platformës është gjurmimi i ankesave dhe aplikimeve në çdo fazë të trajtimit të tyre. Përmes identifikimit me e-Albania, qytetarët do të mund të ndjekin statusin e kërkesave, të shohin se në cilin institucion apo hallkë të administratës ndodhet dosja e tyre dhe nëse është tejkaluar afati ligjor për marrjen e përgjigjes.
Në rastet kur afati për një shërbim kalon, qytetari do të njoftohet përmes SMS-së dhe do të marrë një lidhje për të depozituar ankesë. Kjo e fundit do të regjistrohet me një kod të veçantë dhe do të ndiqet nga sistemi i Bashkëqeverisjes, ndërsa edhe hierarkia e institucionit do të njoftohet për vonesat.
Platforma është ndërtuar mbi katër shtylla kryesore. E para, “Shih”, do t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin investimet publike në zonat e tyre, vlerën dhe ecurinë e projekteve, përfshirë edhe ato të pezulluara apo të vonuara.
Shtylla e dytë, “Kupto”, do të ofrojë akses në vendimet e bashkive dhe projektvendimet e këshillave bashkiakë. Përmes një asistenti virtual, qytetarët do të mund të marrin edhe përmbledhje të vendimeve të fundit të pushtetit vendor.
Ndërsa përmes “Bashkëvendos”, qytetarët do të kenë mundësi të japin mendimet e tyre për projektaktet që janë në konsultim publik, përmes lidhjes me Regjistrin e Konsultimeve Publike.
Një hapësirë e veçantë është edhe “Flamingo Mirror”, e dedikuar për projektet me rëndësi të veçantë dhe çështjet me interes të lartë publik. Sipas Ramës, kjo pjesë synon të ofrojë informacion transparent përballë pretendimeve dhe dezinformimit.
Platforma do të përfshijë gjithashtu faqet zyrtare të ministrive dhe institucioneve, ndërsa do të jetë e aksesueshme jo vetëm në web, por edhe si aplikacion për Android dhe iOS.
Një tjetër funksionalitet që pritet të shtohet në ditët në vijim është komunikimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve me institucionet, përmes personave përgjegjës që do të kthejnë përgjigje në kohë reale. Rama tha se në një fazë të mëvonshme synohet që proceset të mbështeten gjithnjë e më shumë nga inteligjenca artificiale. Sipas kryeministrit, “Pasqyrë Albania” lindi nga reflektimi mbi protestat e fillimqershorit dhe synon të ndryshojë marrëdhënien mes qytetarit dhe administratës publike.







