Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë të ditur se Paketa Fiskale 2027 parashikon uljen e TVSH-së në 6% për 54 produkte ushqimore të shportës. Sipas institucionit, masa ka një impakt të përllogaritur prej rreth 150 milionë eurosh dhe synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve shqiptare për produktet bazë të konsumit. Në kategoritë që do të përfitojnë nga ulja e TVSH-së përfshihen mishi dhe peshku, bulmeti dhe vezët, mielli, orizi dhe vaji, frutat dhe perimet, si dhe ushqimet për foshnjat.
Sipas Tatimeve, kjo ndërhyrje synon të marrë në konsideratë rritjen e kostove të ushqimeve dhe të orientojë politikat fiskale drejt mbështetjes së konsumit familjar dhe rishpërndarjes së të ardhurave. Lista e plotë e 54 produkteve që do të përfshihen në këtë skemë do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.








