Vetëm dy ditë pas miratimit të vendimit për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit të angazhuar në përballimin e protestave, qeveria ka ndërhyrë sërish, duke zgjeruar numrin e efektivëve përfitues dhe duke shtuar fondet e vëna në dispozicion për këtë qëllim.
Me një vendim të ri, Këshilli i Ministrave ka ndryshuar vendimin nr. 787, datë 19 tetor 2026, duke e rritur numrin e punonjësve të policisë që do të përfitojnë shpërblim nga 2750 në 2821 efektivë. Ndryshimi shoqërohet edhe me rritjen e fondit financiar të parashikuar për shpërblimet. Konkretisht, fondi prej 740 milionë e 80 mijë lekësh është rritur në 759 milionë e 187 mijë e 520 lekë. Kjo përkthehet në një shtesë prej 19 milionë e 107 mijë e 520 lekësh, ndërsa numri i efektivëve përfitues është zgjeruar me 71 punonjës.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.








