Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se deri më tani janë evidentuar 50 biznese të dëmtuara nga protesta në Tiranë, duke theksuar se dëmet janë më të vogla nga sa paraqiten në media. Në reagimin e tij për protestën, kreu i qeverisë u shpreh se pjesa më e madhe e bizneseve të prekura janë dyqane dhe sportele. Ai garantoi gjithashtu se do të bëhet më e mira për të mbështetur bizneset që kanë pësuar dëme materiale.
“Dëmet janë më të vogla nga ata që duken dhe që amplifikohen në media. Deri dje ishin 50 biznese, kryesisht janë dëmtuar dyqane dhe sportele”, tha Rama.
Një ditë më parë, kryeministri prezantoi edhe një mekanizëm për aplikimin e bizneseve dhe individëve të dëmtuar përmes platformës e-Albania, me emërtimin “Dëmi im”. Përmes këtij shërbimi, të dëmtuarit mund të ngarkojnë dokumentacionin e kërkuar për të raportuar dëmet e shkaktuara gjatë protestave dhe për të nisur procedurën e shqyrtimit të kërkesës për dëmshpërblim.







