Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e kësaj të shtune për protestën që prej pesë ditësh po zhvillohet në Tiranë, duke deklaruar se deri më tani nuk ka dëgjuar kërkesa konkrete nga protestuesit për largimin e tij nga detyra. Në një reagim të gjatë, Rama tha se protestuesit kanë kërkuar vazhdimisht dorëheqjen e tij dhe dërgimin e tij në burg, por sipas tij, nuk kanë paraqitur argumente përmes një dialogu të drejtpërdrejtë.
“Ju kam dëgjuar çdo ditë sepse keni ardhur poshtë dritares sime, ju kam dëgjuar o në burg o në litar, burg, burg, jep dorëheqjen. S’kam dëgjuar kërkesa. Keni ardhur aty 140 ditë dhe asnjëherë s’keni trokitur te dera dhe të të themi me njerëzillëk, sy më sy, pse duhet të ikësh”, u shpreh kryeministri. Rama theksoi se kërkesa për largimin e tij është legjitime në një shoqëri demokratike, por sipas tij, ajo duhet të shoqërohet me argumente dhe debat.
“Ti do që unë të iki, kjo është gjëja më normale në botë, por si do të iki unë? Të paktën hajde më bind pse duhet të iki unë ose të bind unë pse s’duhet të iki unë”, deklaroi ai. Kryeministri e lidhi situatën e krijuar nga protestat me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke argumentuar se dhuna dhe përplasjet po vënë në provë standardet demokratike të vendit.
“Sipas tij, po sfidohet Shqipëria në Bashkimin Europian në vitin 2030 dhe mënyra evropiane mes forcave në një hapësirë demokratike ku liria dhe e drejta ime mbaron ku fillon jotja”, thuhet në reagimin e kryeministrit.
Rama u shpreh se i kupton arsyet që kanë çuar në situatën aktuale, por e cilësoi dhunën e ditëve të fundit si veprim të një grupi të kufizuar njerëzish.
“Natyrisht që unë i kuptoj shumë më mirë sesa ç’mund të mendojnë shumica dërrmuese e atyre që duan një qetësi të shtirur, të gjitha arsyet pse sot jemi në këtë terror gurësh. Jo nga populli, por nga një grusht njerëzish, edhe pse një pjesë e asaj mase e mbështet qorrazi këtë dhunë”, u shpreh Rama.
Në reagimin e tij, kryeministri foli edhe për reflektimin e qeverisë pas kritikave dhe akuzave të ngritura gjatë protestave, duke iu referuar çështjeve që, sipas tij, janë bërë objekt diskutimi dhe që tashmë janë bërë publike.
Reagimi i Ramës vjen në ditën e pestë të protestës në Tiranë, ku përplasjet dhe tensionet kanë shoqëruar zhvillimet e ditëve të fundit.








